Gazetari shqiptar: Publicitet miliona $ nga Dua Lipa, verën tjetër 2 milion turistë shtesë

Nga Dritan Hila
Sorrento, Kapri, ishujt grekë do ishin ende skuta të panjohura të Mesdheut nëse drejtuesit e turizmit të këtyre vendeve nuk do kishin ndjekur një strategji “smart” marketingu. Ajo që i bën të veçantë këto zona nuk janë bukuritë natyrore por ajo çfarë përfaqësojnë. Rruga e rivierës tonë nuk ka asgjë më pak sesa riviera sorrentine.

Madje të jeni të sigurtë që plazhet e jugut tonë nuk kanë të krahasuar me bregun e tyre i cili ka pak të tillë. Ishujt grekë, ca më pak e ca më shumë janë të një bukurie që mund ta gjesh edhe në bregun jonian. Shto këtu vijën tonë ranore që fillon nga Zvërneci dhe mbaron në Velipojë, e cila pavarësisht shfrytëzimit bar bar, ende në veri është e mrekullueshme.

Por grekët dhe italianët ndoqën tjetër strategji. Nuk u morën me fletëpalosje por ftuan xhirimin e filmave të Hollywood-it. Sot askush nuk do ta njihte Kaprin apo Sorrenton pa filmat e Clark Gable, Brigite Bardot, Sofia Loren, Marcello Mastroiani apo poetë si Pablo Neruda. Fati i italianëve që kishin aktorë të mëdhenj dhe po aq regjisorë të klasit botëror. Ishujt grekë nuk do ishin ky pol turizmi pa i bërë të njohur Anthony Quinn me Zorba-n e tij apo telenovelat amerikano-latine.

Këtë vit Dua Lipa, një yll i skenës botërore me 70 milionë ndjekës, vjen në Shqipëri duke i bërë një reklamë të pashoqe vendit. Jo vetëm emri i saj por edhe origjina janë një marketing i jashtëzakonshëm. Jam i sigurt që nëse do të bjerë vala e pandemisë, vitin tjetër dy milionë turistë shtesë do t’i kemi vetëm fansa të Dua Lipës. Do ishte produktive nëse do bënin diçka të tillë edhe Bebe Rexha dhe Rita Ora.

Kurse operatorëve shqiptarë iu mbetet që të përputhin çmimin me shërbimin që ofrojnë, ndërsa intelektualët mos të mallëngjehen me vajzën që shet misra, por të bëjnë të paktën tifo për këtë eveniment që për fat është shqiptare dhe ka emrin Dua Lipa dhe pa shpenzuar asnjë cent na bën publicitet që vlen miliona e miliona dollarë.