Gazetari flet me emra: Ky është shqiptari i vetëm që doli i gjallë nga ‘lufta’ e drogës në Ekuador

Gazetari Julian Kasapi rrëfeu mbrëmjen e sotme emrin e të vetmit shqiptar të mbetur gjallë nga “lufta” e drogës në Ekuador.

Ai tha në “Open” se shqiptarët kanë zgjedhur tregun latin për shkak të pasurimit të shpejtë, por rreziku është më i madh, pasi ka kosto siç është përplasja mes grupeve. Remzi Azemi është i vetmi shqiptar që ka shpëtuar gjallë, i cili është shfaqur atje si investitor.

“Është mënyra më e mirë për të bërë para sa më shpejt, e ku ka më mirë se në vendet e origjinës sic është Amerika Latine. Duke pasur parasysh çmimin, por ka një kosto të madhe. Rreziku është i madh atje. Mbesin gjithmonë viktima. Remzi Azemi është i vetmi shqiptar që ka shpëtuar gjallë, dhe është shfaqur atje si investitor,” tha Kasapi.

Sipas Kasapit, një kilogramë kokainë kushton 1300 dollarë në Ekuador por kur përpunohet dhe shpërndahet në Europë, shifra e 1 kg kokainë arrin në 40 mijë euro.

“Historia e grupeve shqiptare ka evoluar në tre faza.Njohja e shqiptarëve me Kolumbinë dhe më pas me njohjen e mafies italiane ku arrijnë të hyjnë më thellë në Amerikën Latine dhe tani kemi një fazë tjetër të grupeve kriminale shqiptare që nuk kanë nevojë më as për grupet e mëdha, por tani e bëjnë vetë.

Shqiptarët janë grosistë, madje ka edhe shqiptarë që jetojnë në Amerikën Latine dhe janë shumë të fuqishme. Lidhjet e tyre nuk janë vetëm me një grup kriminal. Ka persona që jetojnë në Amerikën Latine dhe kanë krijuar infrastruktuar për ta kaluar në Ekuador, 1 kg kushton 1300 dollarë. Në Guayaquil ka pika të ndryshme që magazinohet dhe shkon në laborator.

Një kg kokainë në këto laboratore që janë të afta të përpunojnë deri në 1 ton kokainë në dy javë, e prejnë dhe e përziejnë me elementë të tjerë kimikë. Pra 1 kg kokainë gjatë rrugës për në Europë shkon në 40-45 mijë euro”, u shpreh Kasapi.