Gazetari Cani: Gjermania me lehtësira për punëtorët e kualifikuar

Gjermania vazhdimisht ka qenë një ndër vendet më të preferuara për shqiptarët e Kosovës për të gjetur punë jashtë vendit. Vitin e kaluar shteti gjerman ka bërë lehtësime sa i përket marrjes së një vize pune, veçmas për punëtorët e kualifikuar.

Gazetari i redaksisë shqipe në Deutsche Welle, Bahri Cani ka treguar kriteret që kërkon Gjermania për punësim.

“Kriteret mbesin të njëjta; personat duhet të kenë një kontratë pune, u duhet një termin dhe të marrin një vizë pune në Ambasadën e Gjermanisë në Kosovë”, ka thënë Cani.

Ai ka thënë se vitin që e lamë pas autoritetet gjermane kanë bërë disa lehtësime sa i përket vizave të punës dhe bashkimit familjarë.

“Gjermania është futur në një garë jashtëzakonisht të ashpër ndërkombëtare për sigurimin e fuqisë së kualifikuar punëtore. Sa i përket lehtësirave, Gjermania ka hartuar vitin e kaluar një ligj që mundëson ardhjen e fuqisë së kualifikuar. Ky ligj do të futet në fuqi në tri faza të ndryshme. Faza e parë është futur në tetor dhe kjo ka të bëjë me të ashtuquajturën ‘karter blu’, pra bëhet fjalë për personat me kualifikime akademike si dhe për shoferët profesionistë, të cilët kanë disa lehtësime për ardhje në Gjermani por edhe për ekspertët e Teknologjisë Informative”, ka thënë Cani, për RTK-në.

Sipas tij në mars do të futet në fuqi pjesa e dytë e këtij ligji, e që ka të bëjë me njohjen e diplomave. “Deri më tani është dashur që njohja e diplomave të bëhet para ardhjes në Gjermani, e tani ky ligj e mundëson njohjen e saj pas ardhjes në Gjermani paralelisht me procesin e punës, derisa do të futet në fuqi edhe një rregull i ri i bashkimit familjarë, me prindër dhe me vjehrri”, ka shtuar Cani.

Ai tutje ka bërë të ditur se në qershor do të futet në fuqi pjesa e tretë e këtij ligji që ka të bëjë me kartën e shanseve si dhe dyfishimin e vizave për punë për punëtorët e kualifikuar, e ashtuquajtura rregullorja për Ballkanin Perëndimor.

Sipas Canit bazuar në statistikat e autoriteteve të atjeshme në Gjermani kërkohen diku rreth 400 mijë punëtorë të kualifikuar në vit, derisa profesionet më të kërkuara janë: matematikë, informatikë, shkencat natyrore dhe teknologji. Por, shumë punonjës kërkohen edhe në sektorin e shëndetësisë dhe në sektorin e përkujdesjes për të moshuarit.

Megjithatë, sipas Canit, Gjermania më së shumti është e përqendruar për tregun e Indisë, Pakistanit dhe Kinës, pasi atje ka fuqi shumë më të mëdha punëtore se sa në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Cani në fund ka thënë se tani kur kosovarët e kanë të drejtën e lëvizjes së lirë duhet të jenë të kujdesshëm dhe të mos thyejnë rregullat e liberalizimit.

“Nuk rekomandohet që me viza turistike të fillojnë punë sepse nëse fillojnë të punojnë ajo quhet punë në të zezë, pra është ilegale. Dhe për një veprim të tillë ndëshkimet janë prej dënimit me gjobë deri në 5 vjet ndalesë hyrje në Gjermani”, ka përfunduar Cani.