Gazetari Canaj shkrim emocional për djalin e tij të lindur para kohe!


Nga Rezeart Canaj:

Unë nuk e dija por nga dritarja e reanimacionit të Neonatologjisë të maternitetit mund të shohësh kullën që po ngrihet te stadiumi dhe lapidarin e kodrave të liqenit.
Ndërsa nga brenda dëgjon bip-e në tonalitete të ndryshme të makinerive që monitorojnë jetën e porsalindur. Dëgjon edhe lëvizjet e shkathta të stafit dhe përkëdheljet e buta të nënave që u rrijnë pranë krijesave të vogla. Disa nuk kapin dot as 1000 gr.
Nëpër mure varen fotografi inkurajuese “para dhe pas”, bebusha që u përpoqën dhe ia dolën. Dhe pyet veten se pse një qenie kaq e vogël duhet të luftojë kaq ashpër ende pa nisur mirë jetën.
Ndërkohë, nga brenda të kap ndjenja e fajit që të zapton se mendon ku ishte gabimi, përse bebi ynë erdhi përpara kohe, pavarësisht se logjika të thotë që çfarë ndodhi nuk ishte për fajin e askujt. Dhe tani të dy pyesim me shikim të gjithë ekipin mjekësor, mos fshehin diçka më tepër nga fjalët që të thonë. Mprehim dëgjimin se mos na kap veshi ndonjë term a prognozë që do të të sjellë ndërmend gjëra nga më të këqijat.

Ditët kalojnë gati pa u diferencuar nga njëra-tjetra. Sa herë që futesh brenda në sallën e terapisë intensive kërkon me sy bebin tënd, a ka ndryshuar gjë? Do jetë më mirë? Më keq? Ndërkohë që kur del prej sallës së makinerive të duket sikur dëgjon kudo ritmin e tingujve.

Me kalimin e ditëve miqësohesh me stafin, njeh historitë e prindërve të tjerë që i kanë foshnjat aty, ngjyra e mureve të sallës fillon e të bëhet familjare dhe fillojnë e të hyjnë në zemër edhe foshnje të tjera që po luftojnë njësoj si i yti.

Nga dhoma e pavionit dëgjon të qarat e bebave ngjitur që kanë fatin të shkojnë në shtëpi menjëherë dhe ndjen dëshpërim pse nuk e ke tëndin pranë. Në raste të tilla, depresioni pas lindjes është një luks. Bebushi yt ka nevojë që ti të jesh aty, pavarësisht se ti nuk bën dot asgjë për të.

Në spitale gjithçka është me rrota. Shtretërit, aparati i oksigjenit, aparatet ekzaminuese… që të të kujtojnë se ti je aq i pamundur sa nuk shkon dot ti tek to, por vijnë ato tek ty.

Gjëja e parë që ndjen kur sheh bebin tënd që ka lindur përpara kohe nuk është dashuri, por frikë, shume frikë. Ndoshta nuk mund t’a marrësh në krahë për disa ditë dhe do mjaftohesh duke i dhënë gishtin asaj dore të vogël. E para gjë që do i thuash nuk do jetë të dua apo mirëseerdhe, por lufto biri im. Kur të urojnë nga forca e zakonit dhe në formë naive ‘ta kesh me jetë’, si kurrë më parë e merr kuptimin e atyre fjalëve një për një, i përtyp dhe mundohesh t’i gëlltisesh. Nuk marrim dot asgjë për të mirëqenë. Dhe kështu qëndron duke parë bebin tënd të lidhur me tuba te krevati i tij i vogël me ngrohje dhe nuk do mendosh si prindërit e tjerë se kujt i ngjan apo të kujt i ka veshët. Përkundrazi, pyet veten se sa do zgjasë kjo, a do ketë pasoja dhe sa po vuan në këto çaste. Pyet veten a ndihet vetëm dhe nëse e di që nga gjithë njerëzit që janë në reanimacion je ti që i dhe jetë.

Dhe tani, më në fund, erdhi dita t’iu prezantoj më, anëtarin më të vogël të familjes sonë, por më guximtarin dhe luftarakun, lindur përpara kohe në 25 maj.