Gaza, raportime për sulme tokësore pas ndërprerjes së internetit


Brigadat Izzeddin Kassam të Hamasit njoftuan se po përballen me sulm tokësor izraelit në Beit Hanoun, në pjesën veriore të Rripit të Gazës, transmeton Anadolu.

Sipas njoftimit, përleshje të dhunshme po ndodhin në terren.

Gjithashtu, Al-Aksa TV njoftoi se në pjesën lindore të Gazës janë shënuar përleshje të armatosura midis luftëtarëve palestinezë dhe forcave izraelite.

Ndërkohë, sipas medias izraelite Channel 12, ushtria izraelite thotë se ajo çfarë po ndodh në Gaza nuk është invadim tokësor.

Më herët gjatë mbrëmjes, burime në Ministrinë Palestineze të Komunikimeve dhe Teknologjisë së Informacionit njoftuan se ka pasur një ndërprerje të papritur të shërbimeve nga Rripi i Gazës, me arsye ende të panjohur.

Ndërkohë, kryediplomati jordanez Ayman Safadi tha se Izraeli ka nisur një luftë tokësore në Gaza dhe se rezultati do të jetë një fatkeqësi humanitare me përmasa epike.

“Izraeli sapo ka nisur një luftë tokësore në Gaza. Rezultati do të jetë një fatkeqësi humanitare me përmasa epike për vitet në vijim”, ka shkruar Safadi në rrjetin social X.