Gati provat për denoncimin e Muaremit

Prokuroret e krimit të organizuar Vilma Ruskovska, Ivana Trajçeva dhe Elizabeta Josifovska në ditët në vijim do të merren në pyetje në Prokurorinë Publike të Shkupit. Më herët, ish-drejtori i Policisë Financiare, Arafat Muaremi, ka ngritur kallëzim penal ndaj tyre për shpërdorim të detyrës zyrtare, bastisje në zyrat e Drejtorisë.

Prokuroria e Shkupit njofton se parashtruesi i ankesës Muaremi, tashmë është marrë në pyetje, ndërsa së shpejti do të thirren prokurorët e denoncuar. Nga aty shtojnë se prokurori kompetent duke vepruar pas kallëzimit tashmë ka siguruar provat e nevojshme materiale.

Pikërisht për shkak të kallëzimit penal kundër Ruskovskës, Këshilli i Prokurorëve Publikë vendosi që ajo të shkarkohet nga pozita e kryetares së Prokurorisë për luftë kundër krimit të organizuar për të mos ndikuar në procedurë.

Për të njëjtat arsye edhe Muaremi ka dhënë dorëheqje nga pozita e drejtorit në Policinë Financiare. Ai e kallëzimin e bazon në raportin e prokurorit republikan Lubomir Joveski, në të cilin thuhet se prokurorët kanë bërë një sërë lëshimesh gjatë bastisjes në Policinë Financiare.