Gati gjithçka për ndërtimin e shkollës në Reçicë të Vogël

Edhe pse i ka kaluar të gjitha procedurat për fillim me punë, me gjasë ndërtimi i objektit të shkollës fillore në Reçicë të Vogël do të fillojë të ndërtohet pas përfundimit të procesit zgjedhor. Kompania e cila do të duhet që të ndërtojë objektin shkollor tashmë është përzgjedhur, ndërsa këtyre ditëve përfaqësues të saj kanë qëndruar në teren për të bërë përgatitjet e fundit për fillimin e punës.

Nga Komuna e Tetovës kanë bërë të ditur se të gjitha përgatitjet janë bërë për hedhjen e gurëthemelit, por kjo nuk varet prej tyre ngase kjo është në kompetencë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. “Ne si komunë i kemi bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që të fillohet me punë në terren. Është caktuar lokacioni, është dhënë leja e ndërtimit, kemi informacione se është përzgjedhur kompani për të ndërtuar të njëjtën, por për datë se kur do të hidhet gurrëthemeli nuk kemi informacione”, thonë nga Komuna e Tetovës.

Burime nga Qeveria bëjnë të ditur se është shpallur tender për të përzgjedhur kompani, e cila do të bëjë mbikëqyrjen e punëve gjatë ndërtimit. “Ka patur një ngecje gjatë hapjes së tenderit për të përzgjedhur kompaninë e cila do të bëjë mbikëqyrjen gjatë realizimit të punëve ndërtimore. Kjo do të përfundojë shumë shpejt dhe brenda këtyre ditëve do të duhet të fillohet me punë” pohojnë nga Qeveria.

Ndryshe, më 28 maj të këtij viti, Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi njoftoi se është hapur procedura për përzgjedhjen e kompanisë e cila do të bëjë ndërtimin e objektit shkollor. Ai ka bërë të ditur se bëhet fjalë për një objekt modern ku do të mund të mësojnë nxënësit e lagjes së Reçicës së Vogël në kuadër të shkollës fillore ‘Naim Frashëri’. Janë diku rreth 700 fëmijë të lagjes Reçicë e Vogël, të cilët udhëtojnë më shumë se një kilometër për të shkuar në shkollën fillore Naim Frashëri. Ata janë ballafaquar me shumë probleme sidomos gjatë kohës së vjeshtës ose dimrit kur kushtet klimatike janë të vështira dhe fëmijët e vegjël e kanë patur shumë problem që të arrijnë deri në objektin shkollor. Po ashtu, bëhet fjalë për një territor shumë të madh, i cili ka edhe mungesë të ndriçimit publik, dhe kjo ka paraqitur problem shtesë për fëmijët e vegjël.

Krahas kësaj, problem në vete është se në objektin qendror të shkollës fillore ‘Naim Frashëri’ ka numër të madh të nxënësve dhe klasa të stërngarkuara me nxënës. Premtime për ndërtimin e objektit të shkollës në këtë lagje të Tetovës ka dhënë edhe ish kryeministri Zoran Zaev, i cili në fushatën zgjedhore të kryetares aktuale Teuta Arifi ishte zotuar se do të ndërtojnë shkollë në këtë lagje. Pas katër vitesh zvarritje dhe arsyetime, si duket partitë në pushtet kanë lënë ndërtimin e kësaj shkolle në kohën e fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 15 korrikut. Një premtim tjetër ish kryeministri Zoran Zaev kishte dhënë gjatë seancës qeveritare që u mbajt në Komunën e Tetovës vitin e kaluar.