Gastronomët paralajmërojnë ngritje çmimesh

Njoftimi i ministrit të Financave, Hekuran Murati, se nga janari, TVSH-ja për sektorin e gastronomisë do të rikthehet në 18, nga 8 për qind sa ishte deri tani, ka revoltuar Shoqatën e Gastronomëve. Arian Vranica nga kjo shoqatë, ka thënë se rikthimi i TVSH-së në gjendjen e mëparshme do të ndikojë në mosdeklarimin e punëtorëve nga bizneset e gastronomisë.

Vendimit të ish-kryeministrit Avdullah Hoti, për uljen e TVSH-së për sektorin e gastronomisë nga 18 në 8 për qind, i skadon afati më 31 dhjetor.
Këtë e bëri të ditur dje ministri i Financave, Hekuran Murati, teksa tha se skadimi ka qenë i paraparë që nga fillimi.

“TVSH-ja e ulur nga 18 në 8%, ka qenë e paraparë që nga fillimi që të jetë në fuqi nga data 1 janar 2021 deri më 31 dhjetor 2021, dhe po skadon. Njoftimi që ka plasuar ATK-ja, në media, është që të njoftojë se ky lirim skadon, dhe prej datës 1 janar të vitit të ardhshëm do të rikthehet niveli që ka qenë më herët pra 18%”, njoftoi Murati.

Ky njoftim i ministrit Murati e ka revoltuar Shoqatën e gastronomëve. Arian Vranica nga kjo shoqatë ka thënë se me rikthimin e tatimit në 18%, do të ketë më shumë informalitet.
Ai nuk e ka përjashtuar edhe rritjen e çmimeve nga sektori i gastronomisë.

“Nuk ka shumë zgjidhje çka munden të bëjnë bizneset, ose të falimentojnë ose ta mbajnë likuiditetin, likuiditeti mbahet me rritje të çmimeve, sepse përndryshe nuk ka mundësi se nga t’i nxjerrin shpenzimet dhe obligimet e tyre, normalisht se mund të ketë kërcënime për rritje të çmimeve, nuk dua të paragjykoj, por shpresoj që nuk do të ketë nevojë”, ka thënë Vranica.

Ndërkaq, kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Hysen Sogojeva, nuk i ka përjashtuar protestat. Ka kërkuar që ulja e TVSH-së të vazhdojë edhe për tre ose katër vjet.
Shoqata e Gastronomëve ka kërkuar takim urgjent vetëm me kryeministrin Albin Kurti, sepse sipas tyre ministrat po i injorojnë.