Kryetari i partisë, Alternativa, Afrim Gashi në emisionin 200 , duke komentuar deklaratat e kryeministrit Dimitar Kovaçevski, se dera e Qeverisë për Alternativën është e hapur, tha se kjo deklaratë e tij mund të kufizohet si tallje.
“Është e qartë nuk mund të mbetet dera e hapur kur e keni mbyllur derën dhe e keni thyer marrëveshjen brutalisht.
Fakti që nuk ekziston marrëveshja që e kemi nënshkruar vitin e kaluar, dhe ata nuk duan ta dinë fare për atë marrëveshje, dhe ky ka qenë momenti kur neve na është treguar dera”, tha Afrim Gashi.
Gashi tha se procesi për përfshirjen e ASH-së në Qeveri ka qenë shumë i mbyllur ku janë përfshirë tre katër persona.
Ai shtoi se marrëveshja qe kanë pasur me LSDM-në, është shkëputur në mënyrë të njëanshme nga kryeministri dhe çfarëdo oferte tjetër që ka qenë nuk ka qenë serioze.
“Në momentet kur kemi hyrë në Qeveri, edhe kryeministri Kovaçevski edhe Zaev e kanë ditur se ne diskutojmë për tre deputetë dhe një deputet vet është dakorduar me kryeministrin. Pra ajo pako dhe marrëveshje është nënshkruar për tre deputetë”, deklaroi Gashi, duke shtuar se arsyeja për këtë vendim ka qenë e shtyrë për të shpëtuar karrierën e ndonjë politikani.