Gashi nuk komenton akuzat e Thaçit për “unazat”, shprehet i bindur në fitore të ASH-së dhe Alternativës

Lideri i Alternativës, Afrim Gashi, shprehet i bindur se koalicioni Alternativa dhe Aleanca për Shqiptarët do të jenë fitues tek shqiptarët në zgjedhjet e 12 prillit. Ai shtoi se nuk ka qenë Alternativa ajo që ka mbyll dyert që Lëvizja Besa të jetë pjesë e koalicionit trepalësh, por siç tha, ishte Besa që u vetëpërjashtua.
“Nuk jemi ne ata që mbyllim apo hapim dyer, qasja e Alternatives në këtë proces ka qenë shumë transparente kemi treguar se kemi biseduar me një parti me ASH, ndërsa ata kanë biseduar edhe me subjekte tjera. Ju e dini ka pasur një moment kur ata kane refuzuar të përgjigjen që një marrëveshje të mund të jetësohet dhe mendoj se gjithçka është mbyllur aty”, deklaroi Gashi.

Për akuzat e kreut të PDSH-së, Menduh Thaçi se Alternativa financohet nga Irani e Turqia, Gashi se nuk merret me akuzat të tilla.
“Nuk merremi me akuza dhe çështje të tjera. Unë dhe partia ime merremi me politikat që ne duam t’i ndërtojmë. Puna jonë është publike po edhe e kaluara jonë qoftë ajo individuale qoftë ajo partiake është publike, secili gazetarë ka qasje në kaluarën tonë. Nuk merren me asnjë parti tjetër”, shtoi Gashi.

Se a do të marre pjesë Alternativa në marshin për drejtësi të organizuar nga LSDM sot, duke pasur parasysh se partia e tij është pjesë e Qeverisë, Gashi tha se partia nuk ndjek agjendat e partive tjera.
“Nuk e kemi diskutuar po nuk kemi përse të bëhemi pjesë të agjendave të subjekteve tjera, ne kemi agjendën tonë”, theksoi kreu i Alternativës.
Këto komente Gashi i dha pas takimit me përfaqësues të Odës Ekonomike veriperëndimore , takim në të cilën është biseduar për kërkesat dhe sfidat e bizneseve shqiptarë në vend.