Gashi: Mandatori i ardhshëm për kryeministër duhet së pari të flasë me ne

Kryeministri i ardhshëm së pari duhet të bisedojë me ne, për shtetin është më së miri që në qeverinë e re të ketë edhe përfaqësues të shqiptarëve, ndërsa ne do të bëjmë gjithçka që të bindemi së bashku me partnerin e ardhshëm, për të hyrë në procesin e ndryshimeve kushtetuese, shprehet në intervistë për MIA-n Afrim Gashi, kryetar i partisë politike Alternativa dhe bartës i listës së kandidatëve të koalicionit “Vlen” në Njësinë e dytë zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Duke komentuar rezultatet e raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale, sipas të cilave kandidati i tyre Arben Taravari fitoi 83.393 ose 9,20 për qind, e në Gostivar 75 vota më shumë se Bujar Osmani nga Fronti Evropian i BDI-së në pushtet, i cili, nga ana e tij, fitoi 121.088 vota ose 13,37 për qind, shprehet se shqiptarëve u mungon prej kohësh kultura për pjesëmarrje më të madhe në zgjedhjet presidenciale.

Gashi sqaron se ka diferencë të madhe në kulturën e votimit në zgjedhjet presidenciale, lokale dhe parlamentare, ndërsa si shembull e përmendi rastin e numrit të ndryshëm të votave që i ka marrë Imer Selmani në vitin 2009, si kandidat presidencial dhe si lider i partisë në zgjedhjet e atëhershme të dyfishta presidenciale dhe lokale.

“Do t’ju jap shembullin më plastik nga viti 2009, kur kishte zgjedhje presidenciale dhe lokale njëkohësisht, në të njëjtën ditë kur Imer Selmani, i cili ishte kandidat presidencial, ishte edhe kryetar i Demokracisë së Re. Si kandidat presidencial, atë ditë ai fitoi 150.000 vota , ndërsa si parti rreth 50.000 vota. Njerëzit votojnë ndryshe në zgjedhje të ndryshme. Argumenti i dytë është se nuk ka gjasa që një shqiptar të bëhet president në zgjedhje të drejtpërdrejta. Shqiptarëve u ka munguar prej kohësh kultura e pjesëmarrjes më të madhe në zgjedhjet presidenciale. Është shumë e rëndësishme që në zgjedhjet parlamentare, kur ka pjesëmarrje më të madhe, do të tregohet ky vullnet. Derisa të gjithë votuesit e BDI-së që ata i kontrollojnë në mënyrë klienteliste, pjesës më të madh i japin rryshfet, ose i kërcënojnë, votuesit tanë me vullnetin e tyre dalin ose nuk dalin në votime. Perceptimi ynë është se më 8 maj, do të jetë pjesëmarrja më e madhe dhe do të shihni se ka dallim të madh edhe në Tetovë edhe në Gostivar, Çair dhe në të gjitha qytetet”, shprehet Gashi.