Gabime skandaloze me gjuhën shqipe, përgjegjësi s’ka!

Gabime skandaloze gjatë përdorimit të Gjuhës Shqipe nga ana e institucioneve. Duke mos u konsultuar me ekspertë gjatë përkthimit të teksteve, gabimet që institucionet bëjnë nuk janë vetëm tragjike por në të shumtën e rasteve edhe komike. Një nga shembujt më të fundit është ngatërrimi i fjalës “ ruhet” dhe “ rruhet” në një tekst përmes të cilit Ndërmarrja për Qarkullim Publik informon qytetarët për vënien në funksion të biletave për një udhëtim. Mirëpo ky nuk është i vetmi gabim i bërë në këtë rast, teksti i plotë ka edhe gabime të tjera: “Bileta është për një vozitje. Bileta detyrimisht duhet të validohet dhe të rruhet deri në fund të vozitjes. Bileta që nuk është e validuar konsiderohet si e pavlefshme. Gjatë kontrollit bileta për verifikim i jepet personit të autorizuar. Vozitja me kartë të pavlefshme dënohet. Për më shumë informacione paraqituni në web faqen www.skopska.mk”, thekson Ndërmarrja për Qarkullim Publik.

Për t’u ardhur në ndihmë institucioneve për përkthimin e materialeve është formuar Agjencia për Zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Nga ndërmarrja për Qarkullim Publik thonë se nuk kanë kërkuar ndihmë nga ky institucion pasi janë konsultuar me tre të punësuar në këtë ndërmarrje, të cilët nuk janë as përkthyes e as lektorë dhe të cilët e kanë miratuar tekstin e më sipërm ku, sipas tyre, në vend që “bileta të ruhet” mund të “rruhet”. Megjithatë nga kjo ndërmarrje thonë se gabimi nuk ka qenë i qëllimshëm dhe se me rëndësi është që nuk ka humbur, sipas tyre, kuptimi i tekstit ku biletat rruhen. Një gabim tjetër është vërejtur në tabelën e Stacionit Policor të kontrollit kufitar ku “Bllacë e Poshtme” është shkruar” Ballacë e Poshtme”. Nga Ministria e Brendshme thonë se tabela së shpejti do të korrigjohet. Drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve thotë se ka institucione që injorojnë Agjencinë për përkthimin e të gjitha materialeve.

Të gjitha institucionet që kanë nevojë të përkthejnë mbishkrimet, formularët, vendimet që sjellin, ne e kemi për detyrë, në bazë të nenit 19 të Ligjit për Përdorimin e gjuhëve. 02:41 Ndërmarrja për Qarkullim Publik nuk ka dorëzuar kërkesë deri më sot edhe pse ne kemi kërkuar takim me ndërmarrjet publike që janë në qytetin e Shkupit edhe pse deri më sot nuk jemi takuar- deklaroi Ylber Sela- drejtor i Agjencisë për Ligjin e Gjuhëve. Sela thotë se gjatë vitit 2019 deri tek Agjencia kërkesë për ndihmë kanë dorëzuar 76 institucione, ndërsa gjatë këtyre dy muajve të parë të vitit 2020 janë bërë 18 kërkesa.