Gabime pafund në aplikacionin e regjistrimit të diasporës, fjalia nis shqip përfundon maqedonisht

Dita e parë e regjistrimit të popullsisë që ndodhen jashtë vendit ka nxjerrë në pah shumë gabime, probleme teknike dhe paqartësi në aplikacionin për regjistrim onlajn. Një ndër paqartësitë e këtilla ka qenë edhe pyetja për anëtarët e familjes ku mërgimtarët në shumë raste kanë shkruar të gjithë anëtarët e familjes, përfshirë dhe ata që jetojnë në Maqedoninë e Veriut, ndërsa sistemi më pas nuk ka lejuar kthim mbrapa dhe korrigjim të përgjigjeve. Zëvendës drejtori i Entit Shtetërorë për Statistikë, Ilmi Selami, thotë se mërgimtarët në këtë pyetje nuk duhet të regjistrojnë të gjithë anëtarët e familjes, por vetëm ata që jetojnë jashtë vendit. Nëse personi që mbush formularin jeton vetëm jashtë shtetit atëherë duhet të plotësojë vetëm të dhënat personale dhe të mos evidentojë anëtarët e tjerë.

ILMI SELAMI, ZV /DREJTOR I ESHS
“Të regjistrohen vetëm anëtarët e familjes që realisht gjinden jashtë me të. Familjarët e tjerë do të regjistrohen këtu prej 1 deri 21 prill. Pra ideja është të regjistrohen ata që jetojnë dhe punojnë jashtë”.

Përveç kësaj, sistemi ka pasur edhe shumë anomali teknike dhe përmbajtjesore. Disa mërgimtarë kanë denoncuar faktin se gjysma e formularit nuk është e përkthyer në gjujën shqipe. Konkretisht, në shqip janë parashtruar pyetjet, ndërsa të gjitha opsionet për përgjigje janë në gjuhën maqedonase. Kështu duket edhe pyetja për përkatësinë etnike, gjuhën dhe besimin fetar, ku përgjigja e ofruar është “albanci, albanski dhe muslimani”. Disa të tjerë kanë pasur problem gjatë regjistrimit të numrit amë të cilin sistemi nuk ua ka pranuar edhe pse ka qenë i saktë. Në shumë raste probleme teknike ka pasur edhe vetë aplikacioni i cili nuk ka qenë funksional gjatë tentimit të mërgimtarëve për tu regjistruar. Gabimet drejtshkrimore që kanë ardhur si pasojë e përkthimit joprofesional janë shndërruar në batuta që janë bërë virale në rrjetet sociale. Nga Enti Shtetëror për Statistikë kanë premtuar se gabimet teknike dhe përmbajtjesore do të korrigjohen gjatë ditëve në vijim.