Futbollisti shqiptar stop krahasimeve me Del Pieron

Italia u shpall të dielën kampione e Evropës për moshën U19, pasi në finale fitoi ndaj Portugalisë me rezultat 1-0. Pjesë e kombëtares së kaltër është edhe Luis Hasa, futbollisti 19-vjeçar me origjinë shqiptare.

Mesfushori rezultoi një nga elementët më të rëndësishëm për Italinë në rrugëtimin drejt titullit kampion, teksa në finale Hasa dhuroi asistin për golin e vetëm të ndeshjes ndërsa në këtë garë në total shënoi një gol dhe katër asiste.

Hasa, pjesë e të rinjve të Juventus, shprehet se ëndërron të luajë me ekipin e parë të bardhezinjve në Serie A ndërsa kërkoi të ndalein krahasimet me Alessandro Del Pieron.

“Ëndrra ime më e madhe është të luaj në Serie A me Juventusin. Ky është qëllim im kryesor, Juventus është familja ime e dytë dhe është një nga gjërat më të bukura të jem pjesë e tyre. Shpresoj që një ditë të debutoj me atë fanellë. Idhulli im është Cristiano Ronaldo dhe kur ishte te Juventus, në një nga festat e organizuara për Krishtlindje patëm mundësi të bënim foto me të. Isha shumë i emocionuar”, ka thënë Hasa.

“Krahasimi me Del Pieron? Jam i lumtur dhe më bëhet qejfi për këtë krahasim, por nuk e mendoj shumë. Ai ishte një lojtar i madh, ju lutem unë dua të jem thjesht Hasa, kaq më mjafton” u shpreh 19-vjeçari me origjinë shqiptare.