Futbollisti 19-vjeçar, një nga vik*timat që ranë nga avioni amerikan në Kabul


Një futbollist i përfaqësueses afgane është një prej personave që humbën jetën pasi ranë nga avioni në përpjekje për t’iu larguar Talebanëve.
Drejtoria e Përgjithshme Afgane e Edukimit Sportiv konfirmoi se Zaki Anwari, 19 vjeç, futbollist i shpresave, humbi jetën në përpjekje për të kapur avionin ushtarak amerikan që u ngrit të hënën nga aeroporti i Kabulit.

Nuk ka të dhëna të qarta se çfarë ndodhi konkretisht me Anwarin, por që kur Talebanët morën pushtetin mijëra afganë janë përpjekur të largohen.
Të hënën qarkulluan në rrjetet sociale video të shumta njerëzish që përpiqeshin të zinin një vend në ndonjë avion që largohej nga Kabuli. Disa prej tyre, të dëshpëruar, kapeshin në rrotat e avionit, apo hipnin mbi krahët e tij.

Mediat lokale raportuan se të paktën dy persona vdiqën pasi ranë nga lartësia.
Forcat ajrore të SHBA konfirmuan pas zbritjes në Katar se në mekanizmin e gomave të avionit u gjetën gjithashtu rroba, apo pjesë të lëna nga njerëz.