Fushata për balotazh e përqendruar në problemet mjedisore


Kandidatët për kryetarë komunash në Maqedoninë e Veriut, që garojnë në raundin e balotazhit, në javën e fundit të fushatës, krahas problemeve të shumta që kanë të bëjnë me infrastrukturën, janë përqendruar edhe në çështjet e mjedisit, siç janë hapësirat e gjelbëruara dhe cilësia e ajrit.

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut, më 31 tetor, në raundin e balotazhit në zgjedhjet lokale, do të vendosin se kush do të udhëheqë me qytetet më të mëdha, siç është Shkupi, Tetova, Gostivari, Manastiri, Kumanova, Ohri e të tjera.
Por, aktivistët mjedisorë thonë se shumica e projekteve ekologjike, që po prezantohen nga kandidatët në zgjedhjet lokale, janë bërë në moment të fundit, pa ndonjë studim të thellë sesi të njëjtat mund të realizohen në praktikë.

Shkup: Problemi i uzurpimit të hapësirave të gjelbëruara
Në balotazh, në qytetin e Shkupit garojnë kandidatja e pavarur, Danella Arsovska – që mbështetet nga partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE –dhe kryetari aktual, Petre Shilegov, nga Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM).

Arsovska, që në raundin e parë fitoi më shumë vota se kundërkandidati i saj, është zotuar se do ta përmirësojë cilësinë e ajrit, duke u mundësuar qytetarëve që të përdorin transportin publik falas, me qëllim që të ulet përdorimi i automjeteve, që në masë të madhe kontribuon në ndotjen e ajrit.
Ndërkaq, Shilegov ka premtuar se do të angazhohet që të krijohen sa më shumë shtigje për biçikleta, temë për të cilën, siç ka thënë ai, ka qenë i angazhuar edhe në mandatin paraprak.

Tetovë: Sfida e ndërtimeve të egra
Po ashtu, edhe kandidatët që garojnë për ta marrë drejtimin e Komunës së Tetovës, komunë e banuar me shumicë shqiptare, janë përqendruar në tema që kanë të bëjnë me mjedisin.

Kryetarja aktuale, Teuta Arifi nga Bashkimi Demokratik për Integrim, që në këto zgjedhje garon me moton “Voto gjelbër”, ka premtuar gazifikim në këtë komunë dhe vendosjen e koshave të mbeturinave nën dhe, duke thënë se do të punojë të krijojë më shumë hapësira të gjelbëruara.
Ndërkaq, kundërkandidati i saj nga Lëvizja Besa, Bilall Kasami, ka thënë se do të përqendrohet në ndalimin e ndërtimeve të egra. Sipas tij, këto ndërtime, kanë uzurpuar hapësirat e gjelbëruara.

Në qytetin e Manastirit, në balotazh do të përballen kandidatët e dy partive më të mëdha maqedonase, LSDM-së dhe VMRO-së. Të dy këto parti janë fokusuar në ndotësin më të madh të mjedisit në këtë komunë, Termocentralin e Manastirit, që prodhon energji elektrike përmes djegies së qymyrit.

Por, aktivistët e mjedisit, thonë se kandidatët për kryetarë komunash edhe në këto zgjedhje po ofrojnë zgjidhje ad hock, që sipas tyre, duken joshëse për qytetarët, por shtojnë se për projektet që do të përmirësonin gjendjen në mjedis, kërkojnë strategji afatgjata.

“Nëse nuk e shihni zgjidhjen e problemit duke filluar nga sot e të paktën deri në vitin 2050, kjo paraqet problem serioz, pasi nuk mund të arrihet ulja e ndotjes së ajrit nëse problemi nuk trajtohet nga burimi”, thotë Elena Nikollovska, nga organizata joqeveritare Eko Svest.