Buka ka shënuar çmim në rritje nëpër shumë furra të vendit, kryesisht në qytetin e Shkupit.
Çmimet e reja janë 8 deri në 10% më të larta.
Shkak për këtë rritje është shtrenjtimi i energjisë, thonë nga industria e furrëtarëve.
“Kjo është më së shumti nga ndikimi i rritjes së çmimit të gazit, i cili në gusht u rrit disa herë në krahasim me atë të korrikut, si dhe rritja e çmimit të energjisë elektrike me ndryshimet e reja në rregulloret dhe ligjet për kompanitë e vogla që marrin pjesë në tregun e rregulluar si dhe për amvisëritë ku çmimi i energjisë elektrike është rritur gjithashtu”, tha Goran Malishiq, president i grupit të industrisë së fabrikave.
Ndryshim e vunë re edhe qytetarët e Shkupit.
Ata thonë se prej dy ditësh pothuajse të gjitha llojet e bukës kanë shënuar rritje të çmimit.
Pritet që çmimi i bukës të vazhdojë të rritet, paralelisht me rritjen e çmimeve të energjisë.
Prandaj mullixhinjtë dhe furrtarët kërkuan ndihmë shtetërore.
“Shteti duhet të marrë pjesë në subvencionimin e kompanive me çmime të energjisë elektrike, sepse vetëm ne si industri në vendin tonë jemi të ekspozuar ndaj rrymës më të shtrenjtë. Kudo në mjedis energjia elektrike rregullohet dhe subvencionohet nga qeveritë. Nëse çmimet e energjisë vazhdojnë të rriten dhe arrijnë kulmin e tyre në periudhën e verës, imagjinoni se çfarë do të ndodhë në muajt e vjeshtës apo të dimrit”, thanë nga industria e furrëtarëve.
Marzhi i bukës mbetet i kufizuar në 5% deri në fund të shtatorit.
Nuk dihet ende nëse dhe çfarë masash kundër krizës do të ketë më pas.