“Furgoni”, filmi shqiptar në listën e nominimeve për Oscar

Filmi shqiptar me titullin “Furgoni” i Enerik Beqirit është nominuar për çmimet Oskar në kategorinë “Live action short film”, në edicionin e 93-të të këtij eventi botëror të kinemasë.

Vlen të theksohet se në këtë kategori kandidojnë dhe nëntë filma të tjerë, ku kandiduan gjithsej 174 filma dhe juria përcaktoi listën e ngushtë të të nominuarve.
Ky film ka marrë pjesë më herët në festivalin e Kanës dhe ka marrë mjaft vlerësime nga revista prestigjioze.

Bëhet fjalë për një luftë brezash midis babait dhe birit në një dramë të shkurtër familjare, ndërsa dy burra kokëfortë shqiptarë të ndarë nga brezi dhe idealet përpiqen të kërkojnë një të ardhme të mirë. Ben (Phenix Brossard) nuk do të ndalet nga asgjë për të larguar veten e tij dhe të atin nga Shqipëria ndërsa përpiqet në rrugën e tij për një biletë për në Angli.

Kjo përfshin pjesëmarrjen në ndeshje të paligjshme të boksit në një furgon në lëvizje, ku vetëm një fitues mund të mbetet gjallë. Ndërkohë babai i tij (Arben Bajraktaraj) një punëtor ndërtimi i mbetur i ve, nuk pranon të lërë ëndrrat e tij për të pasur një biznes të ndërtimit.

Beqiri përdor një dialog të mprehtë, të përmbledhur dhe pamje intime. Ai godet aq fort me pamjet sa duket se Ben nuk do të shpëtojë kurrë. Trauma psikologjike e Benit nuk kërkon dialog në përshkrimin e saj, pasi e shohim atë në fytyrën e tij. Ndjekim çdo plagë e lëndim dhe ndjejmë çdo goditje.

Në fund, “Furgoni” (The Van) është një film i shkurtër mahnitës që hulumton thellësitë komplekse të dashurisë mes një babai dhe një djali dhe sa larg janë të dy të gatshëm të shkojnë për njëri-tjetrin. Beqiri krijon një rrëfim autentik dhe mbërthyes që lundron mes familjes dhe lirisë me koston e të dyjave.