Ftesat e dërguara, dasmat e bllokuara!

Në Komunën e Dibrës, këto ditë për shkak të ardhjes edhe të mërgimtarëve – mesatarisht për çdo ditë ka mbi 20 dasma. Një pjesë e madhe e tyre realizohen nëpër sallonet e dasmave si në qytet – ashtu edhe përreth. Por, vendimi më i ri i Qeverisë, sipas të cilit, prej 16 gushtit ndalohet tërësisht puna dhe organizimi i çdolloj ngjarje në ambiente të mbyllura, në të gjithë objektet hotelerike, përfshirë edhe ahengjet në objekte hotelerike të regjistruara për organizimin e dasmave të tipit të mbyllur, ka shqetësuar gastronomët.

Sipas vendimit të njëjtë, nga 16 gushti vendoset vërtetimi i obligueshëm për imunizim, me së paku një dozë të vaksinës, përfshirë edhe në objektet hotelerike, ku ka më shumë se 30 presona prezent për çdo lloj ngjarje në ambient të hapur. Kjo situatë ka sjellë një huti të vërtet si tek pronarët e objekteve hotelerike, por edhe të familjeve që organizojnë dasmat. Ftesat e dasmave janë të dërguara, kurse pronarët e salloneve të dasmave reagojnë dhe kërkojnë ndryshime të vendimit.

“Vendimi i fundit i Qeverisë në lidhje me mbrojtjen nga pandemia Kovid-19 na ka sjell shumë probleme, të cilët me të vërtet rëndë është të tejkalohen”, ka deklaruar Ardian Sela, anëtar i familjes Sela, e cila posedon tre sallone për organizimin e dasmave. Sallonet e dasmave “Arta” janë të njohura në Dibër dhe rajon, prandaj dhe rezervimet në to bëhen një vit para.

“Vendimi që ka të bëj me mbrojtjen nga Kovid-19 që është miratuar nga Qeveria, thotë se deri më 15 gusht të gjithë objektet hotelerike të regjistruar për ahengje mund të punojnë në ambiente të mbyllura, por nga 16 gushti ndalohet tërësisht ky aktivitet në ambientet e mbyllura”, thotë Sela, ndërsa shton se një situatë e këtillë pengon realizimin e kontratave për dasma që si pronarë të objekteve – kanë bërë me dasmorët. “Në një situatë të këtillë jemi drejtuar shoqatës që mbron interesat të objekteve hotelerike dhe presim përgjigje se çka do të ndodh. Tani kur dasmorët kanë dërguar ftesa për dasma, parashtrohet pyetja se si mund të realizohet një dasëm me vendimet e fundit të Qeverisë”, shprehet ai.

Në një situatë të këtillë ndodhen edhe pronarët e salloneve të tjera të dasmave që veprojnë në Dibër, por edhe në rajonin e komunave Qendër Zhupë dhe Mavrovë Rostush. Edhe ata thonë se dasmorët kanë dërguar ftesat, por vendimi i Qeverisë tani ka sjellë probleme për organizimin e dasmave në hapësira të mbyllura, ku tradicionalisht në Dibër dasmorët ftojnë nga 300 e deri në 500 mysafirë. Duke marrë parasysh se kanë ngelur vetëm disa ditë nga dasmat e rezervuara, pronarët e objekteve hotelerike thonë se zgjidhje duhet të gjendet.

Përveç pronarëve të objekteve hotelerike, në hall janë edhe dasmorët. Mediat në një bisedë me disa familje dibrane që kanë caktuar martesat e fëmijëve të tyre, pikërisht më 16 gusht në disa sallone dasmash në Dibër, thanë se pas marrjes së informatës për vendimin e Qeverisë, u janë drejtuar pronarëve të objekteve hotelerike. Kanë marrë përgjigje se edhe ata nuk e dinë se çfarë do të ndodhë. Familja Nuredini është tejet e shqetësuar për këtë ndryshim në lidhje me organizimin e dasmave në hapësira të mbyllura.

“Ftesat janë dërguar tek të ftuarit, përgatitjet rreth blerjes së fustanit të bardhë dhe gardërobës solemne kanë përfunduar, por njëkohësisht kemi blerë edhe stolitë e arit për nusen. Por, ja papritmas na doli ky problem”, thonë anëtarët e kësaj familje. Po ashtu edhe familja Opre ka së shpejti ceremoni familjare. Edhe ata janë të revoltuar nga ka vendim, pasi thonë se për dasmën – familjarët nga jashtë kanë bërë rezervimet për të ardhur në Dibër enkas për ahengun. Ata shtojnë se janë të hutuar dhe nuk e dinë se si të veprojnë. Aktualisht, në Dibër dhe rajon dasmat janë të shumta meqë në vendlindje kanë ardhur mbi 4 mijë mërgimtarë që jetojnë dhe punojnë në SHBA, vendet e Bashkimit Evropian dhe faktikisht – familjet insistojnë që dasmat të bëhen në prezencën e tyre.