FSK me mision në Kuvajt, Osmani: Zoti ju ruajt dhe faleminderit!

Në F*orcën e Sigurisë së Kosovës u mbajt ceremonia e zbarkimit të kontingjentit të FSK-së për në misionin e parë paqeruajtës në botë, ku do jenë krah ushtrisë amerikane në Kuvajt. Ushtruesja e detyrës së presidentit në Kosovë, Vjosa Osmani tha se kjo është ditë historike.
“Kam ardhur t’ju them Zoti ju ruajt dhe faleminderit”, tha Osmani para ushtarëve të Forcës.
“Misioni gjashtë mujor po bëhet i mundshëm falë partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me ushtrinë amerikane, paqeruajtësit tanë do të jenë krah tyre në këtë mision fisnik”, tha tutje ajo.

Osmani deklaroi se Kosova e bëri lirinë dhe ndërtoi paqen bashkë me miqtë ndërkombëtarë.
“Ky kontingjent është i vogël në numër por i madh në përmbajtje dhe mesazh. Këta djem po shkruajnë historinë e re të Kosovës”, shtoi ajo.
“Si politikanë ndonjëherë mund edhe të mos pajtohemi e të debatojmë ashpër. Kjo është pjesë e demokracisë sonë, por kur bëhet fjalë për vajzat dhe djemtë tanë në uniformë, për ushtrinë tonë, si politikanë dhe qytetarë ne qëndrojmë të gjithë të bashkuar. Ne te gjithë jemi krenar me ju”, tha Osmani.

Në fjalë rasti, komandanti i Fo*rcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama tha se dita e sotme është ditë historike.
“Sot është ditë historike për Kosovën. Sot Kosova zyrtarisht po bëhet kontribuuese e misionit të paqes përkrah partnerëve dhe miqve tanë. Kjo e arritur është falë pjesëtarëve të FSK-së , jam krenar që jam komandant i Fo*rcës”, tha ai.
Komandanti i FSK-së, tha se po zbarkojnë në një mision fisnik.

“Të dashur ushtarë të FSK-së, ju jeni duke zbatuar një mision fisnik në mbështetje të paqes, do të jeni krenar pasi që në këtë mision jetësoni një synim tonin për të cilën shumë gjenerata sakrifikuan. Jam i bindur që do të shërbeni me profesionalizëm dhe do të përfaqësoni Kosovën me dinjitet”, tha gjeneral Rama”, shtoi ai.
Një kontingjent i Fo*rcës do të qëndrojë së paku gjashtë muaj në Kuvajt me Gardën Kombëtare të Iowa-s për mision paqeruajtës në shtetin e Kuvajtit.