Fshati Pallçisht mbi dy dekada pa ujë të pijshëm

Mbi pesë mijë banorë të fshatit Pallçisht të komunës së Bogovinës vazhdojnë të vuajnë mungesën e ujit të pijshëm tash e më shumë se 20 vite. Më vështirë bëhet në pranverë, kur për shkak të reshjeve të shiut uji i fshatit nuk mund të përdoret as për çështje higjienike. Banorët janë të detyruar vazhdimisht të blejnë ujë për pije apo edhe të hapin puse private. Kërkojnë zgjidhjen e problemit.

“A e dini sa vite jemi pa ujë neve, kështu pushtetin e kemi çka të bëjmë. Ujin për pije e blejmë ose mbushim në Novakë, ose kush s`mundet nga vija mbush ujë”, tha një banor.

“Nuk bën uji i fshati as për pije as për larje as për zierje për asgjë. Ma keq tash kur bie shi e kemi, na bllokon makinat për larje teshash nga papastërtia. Mos na pyetni neve pse është kjo gjendje, pyetni ata në komunë e Qeveri, çka ndodh me Pallçishtin tash e më shumë se 20 vjet. Tash e pesë vite unë skam ujë kam hap pus”, shtoi një banor tjetër.

“S`ka njerëz kush të vrapoj pas punëve, sepse ne këshilltarët i zgjedhim të jenë të bukur jo të punojnë për fshatin Pallçisht. Ne kemi katër këshilltarë në komunë, asnjëri nuk e hap gojën të bëj aktivitet për fshatin Pallçisht”, theksoi një banor tjetër.

Kreu i Bashkësisë lokale të fshatit Pallçisht thotë nëse edhe këtë verë fshati e kalon pa ujë, do të riaktivizohen protestat.

“Gjendja momentale është shumë e keqe për ujin e pijshëm. Pas gjitha protestave dhe mundit të banorëve, projekti filloi të realizohet por pas një kohe u ndërpre. Pas ndërprerjes me lutje me ankesa filloi projekti dhe rrjeti i ri u bë, deri tek pishina, por nuk është në përdorim. Duhet të bëhen edhe disa ndërprerje kaskada dhe do kohë. Nëse nuk do kemi ujë edhe këtë verë, do kemi presione shumë të mëdha, jo protesta vetëm këtu por edhe para ministrive”, tha Vullnet Akiki. Kryetar i BL Pallçisht.

U drejtuam edhe në komunën e Bogovinës, nga ku shkurt u shprehën se ujësjellësi është duke u punuar dhe se së shpejti do të përfundoj, ndërsa nuk u shpjegua se përse deri më tani dy herë u ndërprenë punimet për ujësjellësin e fshatit Pallçisht.