Fronti Europian përmend parlametin dydhomësh / Nuk përjashtojnë protesta para Qeverisë

Fronti Europian vazhdon të thotë se po cenohet Marrëveshja e Ohrit me hyrjen e VLEN në Qeveri, pasi siç thonë ata nuk kanë legjitimitetin e sovranit. Madje gjatë deklaratës së nënshkruar të dielën në Tetovë, përfaqësues të këtij Fronti përmendën parlament dydhomësh e harta të vizatuara. Arjanit Hoxha nga ky koalicion thotë se pikërisht Marrëveshja e Ohrit është nënshkruar që shqiptarët të heqin dorë nga kjo kërkesë.

“Kur kanë filluar bisedimet e vitit 2001 kanë filluar me qëndrime diametralisht të kundërt. Është e vërtetë se pala shqiptare në atë kohë e ka kërkuar parlamentin dydhomësh, por kjo impononte një rregullim tjetër kushtetues. Pikërisht kompromisi i 2001 ka qenë që pala shqiptare të heq dorë nga një kërkesë legjitime për të rregulluar rendin kushtetues dhe pala maqedonase të lëshojë për pikërisht këtë që e flasim. Ku mbeti kuptimi i marrëveshjes së Ohrit”, tha Arjanit Hoxha nga FE.

Hoxha madje nuk përjashton edhe protestat para Qeverisë.

Ky ishte hapi i parë, hapi i dytë a do të jenë protestat para qeverisë?
Ne hapat politike nuk mund t’i shpalosim nga ky moment sepse është strategji politike?
A ka kush të protestojë, përpara qeverisë dhe kuvendit. Besoni se qytetarët do ju dëgjojnë juve për të dal në protesta?
Nëse themi se nuk ka kush besoni se nënçmojmë shumë shqiptarë…
Po a kenë vullnet për të dalë, korrupsioni, mosbesimi në gjyqësor, pasurimi në kurriz të shtetit nga shumë funksionar, mendoni se do ketë vullnet dikush për të protestuar?
Do ua tregoj vetëm një vullnet të një shqiptari i cili në vitin 2001 e ka humbur shokun e vet në rovin e luftës për këtë legjitimitet dhe ju mendoni se nuk ka vullnet në protestë?”

Derisa Fronti Europian po shikon mekanizmat për të mos mbetur në opozitë, nga ana tjetër VLEN, VMRO dhe Znam dalëngadalë po qëndisin koalicionin qeverisës. Tashmë është zgjedhur kryetari i kuvendit Afrim Gashi, i cili vjen nga VLEN.