Frikë, pagjumësi e kequshqyerje – Përjetimet e qytetarëve të Kievit që po fshihen në metro


Përderisa bombardimi i Kievit me artileri të rëndë nga forcat ruse po vazhdon edhe sot, shumë qytetarë të kryeqytetit të Ukrainës janë zhvendosur në mënyrë të përhershme për t’u mbrojtur në metrot e qytetit.

Në ditët e para të përpjekjes për pushtim, forcat ruse u zmbrapsën disa herë nga ukrainasit, prandaj nisën sulme më të rënda me bomba e raketa për ta thyer rezistencën.

Më 1 mars, të paktën dy raketa kanë goditur lagjen Dorohozhychy, duke dëmtuar disa ndërtesa dhe duke vrarë të paktën pesë njerëz. Njëra prej raketave ka goditur edhe memorialin historik Bayn Yar, që i dedikohet viktimave të nazizmit nga Lufta e Dytë Botërore.
Këtë tmerr, me sytë e saj e ka para 20-vjeçarja Tetiana Boyko.

“Isha në rrugë. Po ktheheshim në shtëpi për të marrë disa gjëra. Po afroheshim te kalimi i rrugës kur pamë raketë. Së pari mendova mos është avion sepse ishte me krahë”, ka thënë Boyko.

“Njerëzit u panikosën dhe filluan të vrapojnë për t’u strehuar. Pashë dikë që ecte qetësisht, pa e mbrojtur jetën e tij, sepse vdekja tashmë ishte shumë afër”, ka shtuar ajo.

Edhe Kateryna Belytska, 25-vjeçare, po strehohet në metro qe 7 ditë.