Në vazhdim të edicionit të sivjemë “Ditët e Alfabetit” organizuar nga ITSHKSH, sot në Shkup në kuadër temës bosht rreth Letërsisë, gjuhës, kulturës dhe traditës së arbëreshëve të Italisë, u trajtua profili shkencor e intelektual i prof. Françesko Altimarit, njëra prej figurave më emblematike të botës arbëreshe. I pranishëm ishte edhe zv.ministri i Drejtësisë, Agim Nuhiu, i cili konfirmoi përkushtimin institucional ndaj aktiviteteve shkencore e kulturore të ITSHKSH, të cilat organizohen në kuadër të manifestimit tradicional “Ditët e Alfabetit”. Mbi rëndësinë e kësaj teme të përzgjedhur në fillim foli Hidajete Azisi, udhëheqëse e Departamentit të gjuhës shqipe në ITSHKSH, e cila nënvizoi se Prof. Françesko Altimari shquhet me aftësinë e tij për të krijuar ura të shumta komunikimi përmes opusit shumë të gjerë e kompleks shkencor nga fusha e filologjisë, jo vetëm arbëreshe por edhe të mbarë shqipes, ai do të shquhet si një model i një filologu e gjuhëtari bashkëkohor, jo vetëm në kohë, por edhe në mendësi.
Në këtë mënyrë, tha Azisi, profesori ynë i nderuar Françesko Altimari, do të hap shtigje të reja në emancipimin e dijes shqiptare dhe do të ketë një rol të rëndësishëm në ndërkombëtarizimin e albanologjisë dhe sidomos të filiologjisë arbëreshe. Mbi profilin shkencor e inteletktual të prof. Altimarit, me një kumtesë përmbajtësore u paraqit prof. Anton Nikë Berisha, i cili vuri në dukje se është krejtësisht e natyrshme që Altimari vëmendjen kryesore në punën e vet ia kushtoi studimit të gjuhës së arbëreshëve të Italisë, përkatësisht të folmeve të saj. Ky përcaktim lidhet me faktin se këto të folme paraqesin një stad të hershëm të gjuhës sonë dhe se njohja e tyre nënkupton njohjen e disa veçantive të rëndësishme të shqipes në përgjithësi në një periudhë më të hershme, të ruajtur në forma të ndryshme edhe sot e gjithë ditën në të folmet e ngulimeve arbëreshe, tha prof Berisha.
Në vazhdim , prof. Berisha foli për një dimension tjetër të angazhimit të Françesko Altimarit.“Dukuritë e kulturës, të gjuhës dhe të letërsisë arbëreshe Altimari i vëzhgoi nga zanafilla e vendosjes së arbëreshëve në Itali (nga vepra eparë në arbërisht E mbsuame e krështerë e Lukë Matrëgës, botuar më
1592), duke i parë në vijimësinë e zhvillimit e të ndryshimit të tyre në rrjedhë të kohëve. Pra, kërkimet dhe përfundimet e punimeve dhe të veprave të tij nisen nga kërkimet paraprake të autorëve të tjerë,arbëreshë, shqiptarë dhe të huaj, për t’i thelluar nëpërmjet analizave dhe duke u mbështetur në të mbërrimet më të reja shkencore. Kjo del qartazi në një varg punimesh , ku ai i vështroi dhe i ndriçoi dukuritë gjuhësore të ndërliqshme, duke pasur për bazë materialin e të folmeve arbëreshe, të mbledhur më parë nga të tjerët ose të mbledhur më vonë nga studiues të ndryshëm ose nga ai vetë si dhe veprat e shkrimtarëve arbëreshë, të botuara ose të lëna në dorëshkrim”, nënvizoi prof. Berisha.
Mbi Sistemin shkencor të studiuesit Françesko Altimari në rindërtimin dhe ribotimin e tekstit letrar, me një kumtesë interesante u paraqet prof. Floresha Dado nga Tirana. Ajo u ndal sidomos në metodologjinë rreth studimit të teksteve të letërsisë arbëreshe në një kontekst evropian dhe me gjerë. Me këtë rast ajo vlerësoi punën shkencore të prof. Altimarit në përgatitjen cilësore të kompletit të De Radës, që mund të shërbejë edhe si një model për të tjerët se si mund të studiohen shkrimtarët e traditës.
Për figurën komplekse të prof. Françesko Altimarit, me një kumtesë përmes video-lidhjes u paraqit edhe prof. Matteo Mandala nga Universiteti i Palermos, i cili vuri në dukej se Ak. Prof. Francesko Altimarin mund ta konsiderojmë me plot të drejtë dhe pa druajtje gabimi novatorin më të suksesshëm në albanologjinë bashkëkohore.“Duke ndjekur gjurmët e prof.të ndjerë Francesco Solano dhe Antonino Guzzetta, Altimari është pjellë e fazës së re modernizuese që çoi albanologjinë italiane të zgjeronte diapazonin e saj epistemologjik, të fuqizonte marrëdhëniet me sektorë të tjerë shkencorë të afërt, të
promovonte imazhin e kësaj disipline në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar dhe njëherazi të forconte lidhjet me ambientet arbërishtfolëse”. Prof. Mandala, veç tjerash, përmendi edhe disa kontribute të tjera të prof. Altimarit. “Pikërisht “revolucioni teknologjik” ka qenë një nga arritjet kryesore të Altimarit përmes futjes në përdorim të mjeteve informatike që favorizuan zhvillimin e disa hipotezave ambicioze të kërkimit, rezultatet e të cilave janë tashmë në dispozicion të studiuesve të sotëm. Modernizimi teknologjik e zuri fillin aty nga fundi i viteve ’80, por qysh në gjysmën e parë të dhjetëvjeçarit pasues u shfaqën rezultatet e para në disa lëmenj të albanologjisë”, tha prof. Matteo.