Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura përcolli pamje nga malësia e Pogradecit, e cila fsheh thesare me vlera natyrore, historike e kulturore. Në degëzimin e rrugës Egnatia, pranë Kanionit të Llëngës në Trebinj të Pogradecit, ekskursionistë të ndryshëm, kanë gjetur fosile mijëra e mijëravjeçare. Sipas paleontologëve këto janë fosile shumë të lashta detare, të cilat gjenden në Malet e Pogradecit, në një lartësi 900 metra mbi nivelin e detit dhe 91 km nga vija e sotme bregdetare.
Këto fosile tregojnë qartë se deti, mijëra vite më parë, ka qenë deri në këto lartësi. Sipas njërës teori për moshën e tokës, këto specie gjalluan diku te 500 milion vite më parë, e pastaj u zhdukën njëherësh me dinozaurët.
Kanioni i Llëngës, ku kanë kaluar ekskursionistët, është i shkurtër (~500m) dhe nëpër të kalojnë ujëra të Shkumbinit. Në një nga përrenjtë e lumit Shkumbin shikohen qartë fosile shumë të lashta detare. Në të djathtë të kanionit kalon një degëzim i rrugës romake Egnatia që kalon nga ura e Golikut në Selcën e poshtme, e që të nxjerr në Voskopojë. Këtu kemi një trekëndësh interesant me vlera të pallogaritshme historiko-kulturore sepse jemi në zonë të banuar nga komuniteti arumun: Voskopoja, Llënga dhe Grabova.
Anri Pashaj, fotot e te cilit na servir AKZM, thotë se ky është një udhëtim i pabesueshëm që duhet shtuar në guidat turistike. “Brenda pak orësh depërtuam thellë në malësinë e PG, gjetëm fosile mijëra e vjeçare, pamë shpellë e kishë me afreske të klasit botëror nga Kostandin Shpataraku, ecëm në një degëzim të rrugës Egnatia dhe pamë kanionin e Llëngës”, -tregon Pashaj.