Foshnja që ishte zhdukur nga materniteti në Vjenë u gjet e vdekur në një kosh mbeturinash

Foshnja që ishte zhdukur dje nga një spital në Vjenë është gjetur sot në mëngjes e vdekur në një kosh mbeturinash pranë spitalit, raportojnë mediat austriake. Hetuesit deklaruan se foshnja ishte mbështjellë në një qese plastike. Nëna 29-vjeçare e foshnjës njëjavëshe është arrestuar si e dyshuar për këtë rast.

Dje, një infermiere në spitalin në Vjenë vuri re që foshnja dhe nëna e saj mungonin nga dhoma, duke alarmuar menjëherë policinë. Kjo e fundit nisi një kërkim intensiv, duke kontrolluar automjete, çanta të çiklistëve dhe duke përdorur qen kërkues për të gjetur foshnjën.

Në mbrëmje, nëna u mor në pyetje nga policia, por ende nuk është bërë e ditur se çfarë ka deklaruar. Gjithashtu, u pyet edhe një person që pretendohet të jetë babai biologjik i foshnjës, megjithëse policia ka konfirmuar se ai nuk është i dyshuar për këtë rast, pasi nëna nuk e kishte pranuar atë si baba të fëmijës.