Foshnja dyditëshe viktimë e koronavirusit

Një foshnjë ka vdekur në Afrikën e Jugut vetëm dy ditë pas lindjes, si pasojë e koronavirusit.

Ajo është një nga viktimat më të reja me Covid-19.

Infeksioni i nënës tashmë ishte konfirmuar dhe fëmija doli pozitiv në test, tha ministri i Shëndetësisë Zweli Mkhize.

Foshnja lindi para kohe dhe ishte bashkangjitur në një respirator, shtoi ai.

Numri i të vdekurve në Afrikën e Jugut është 339 dhe numri total i të prekurve është 18.003.

“Fatkeqësisht, ne regjistruam vdekjen e parë neonatale të shoqëruar me Covid-19. Foshnja ishte dy ditë dhe u lind para kohe. Ajo kishte probleme me mushkëritë dhe u lidh me ventilimin mekanik menjëherë pas lindjes,” tha ministri Mkhize.

Ndër viktimat e tjera nga koronavirusi është një foshnjë treditëshe që vdiq më 5 maj në Mbretërinë e Bashkuar. Në këtë rast, si fëmija ashtu edhe nëna u testuan pozitivë pas lindjes./ KosovaPress/