Forcat izraelite pl*agosin 23 palestinezë në pr*otestat kundër vendbanimeve ilegale

Të paktën 23 palestinezë u plagosën sot pasi forcat izraelite qëlluan me plumba gome dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën në zona të ndryshme të Bregut Perëndimor të pushtuar.
Shoqata Palestineze e Gjysmëhënës së Kuqe tha se ekipet mjekësore trajtuan 23 palestinezë në protestat e mbajtura në Nablus.

Në qytetin Beit Dajan, në lindje të Nablusit, deklarata shtoi se stafi mjekësor trajtoi shtatë persona të plagosur nga plumbat e gomës.
Në fshatin Beita, në lindje të qytetit të njëjtë, një palestinez i moshuar u plagos nga plumbat e gomës gjatë konfrontimit me ushtrinë pushtuese dhe 15 të tjerë u prekën nga gazi lotsjellës.

Palestinezët çdo javë mbajnë demonstrata kundër vendbanimeve të paligjshme hebreje në pjesë të ndryshme të Bregut Perëndimor, veçanërisht në fshatrat Beita, Beit Dajan dhe Kafr Qaddoum. Vlerësimet izraelite dhe palestineze tregojnë se rreth 650 mijë kolonë jetojnë në 164 vendbanime dhe 116 kampe në Bregun Perëndimor, duke përfshirë Kudsin e pushtuar.
Sipas së drejtës ndërkombëtare, të gjitha vendbanimet hebraike në territoret e pushtuara konsiderohen të paligjshme.