Në Kosovë tashmë është një person i shëruar nga koronavirusi. Ai, bashkë me motrën e tij, nga Dumnica e Podujevës, kanë dalë nga Klinika Infektive e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
62-vjecari ka treguar se simptomat i kishte ndier katër ditë pasi kishte ardhur nga Italia.
“Pas katër ditëve filloi një kollitje, shkova e bëra testin dhe dola pozitiv”, ka thënë i shëruari në emisionin “Frontal”, duke falënderuar stafin mjekësor për përkushtimin që kanë treguar ndaj tij dhe pacientëve të tjerë në Klinikë.
I shëruar tashmë, ai bashkë me motrën e tij, e prekur edhe ajo nga Covid-19, janë liruar nga spitali.
Madje, ai thotë se edhe motra e tij është shëruar.
“Është fenomenale, kurrfarë dallimi nuk ka prej meje. Është liruar nga spitali, na kanë bërë të gjitha testet. Sot në mëngjes na kanë liruar të dyve. Për momentin jemi pa kurrfarë vërejtje”, është shprehur ish-pacienti i Infektivit, i cili ka një mesazh për qytetarët.
“Opinionit i kërkoj të mos kenë frikë, frika ia shton sëmundjet”, ka thënë banori i Dumnicës.