Flet 15-vjeçari që u dhunua nga policia: Ju thashë se kisha humbur rrugën

Punonjësi i policisë që shihet në këtë video teksa qëllon një 15-vjeçar që kishte thyer rregullat e karantinën, është pezulluar nga detyra. Edhe 3 kolegët e tij që kanë shoqëruar adoleshentin në komisariat po hetohen nga Drejtoria e Standardeve mbi veprimet e tyre gjatë shoqërimit.

Ngjarja ka ndodhur pasditen e së premtes pranë liqenit artificial në kryeqytet rreth orës 16 e 45 minuta. Sarandi Çobo, ka qenë duke lëvizur me biçikletë jashtë orarit kur është ndaluar nga policia.

Në një interviste për Tv Klan ai tregon versionin e tij për ngjarjen.

“Dola xhiro nga liqeni me shokun tim. Kur u përballa me policinë iu thashë se kisha humbur rrugën, dhe në momentin që më ndaluan kisha frikë se mos më merrnin biçikletën se nuk ishte e imja. Jam shumë i hutuar dhe nuk mbaj mend shumë gjëra”.

Policët nuk i kanë besuar versionit të humbjes së rrugës dhe për këtë arsye e kanë ndëshkuar administrativisht. Nëna e adoleshentit, teksa tregon fotot me shenjat e dhunës, thotë se veprimet e policëve janë të patolerueshme. Ndaj kërkon drejtësi.

Pak ditë më parë ndaj disa drejtuesve të policisë u morën masa për lejim të qytetarëve në kodrat e liqenit jashtë orarit të lëvizjes. Për rastin reagoi edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili tha se dhuna është fytyra e shtetit të Ramës dhe oferta e tij e vetme për njerëzit./Opinion.al