Një shkencëtare britanike po fle vetëm dy orë, duke garuar me kohën për të krijuar një vaksinë për koronavirusin, shkruan Daily Mail.
Kate Boderick, 42 vjeç nga Skocia ka luftuar kundër sëmundjeve infektive për më shumë se 20 vjet duke marrë pjesë në krijimin e vaksinave të suksesshme, për Ebolan, Zikën dhe MERS-in.
Boderick shprehet se ndjen një përgjegjësi personale, për të bërë gjithçka për krijimin e një vaksine, ndërkohë që është duke punuar gjatë gjithë kohës dhe vaksinat e mundshme i teston në minj dhe derra, ashtu si edhe grupe të tjera kërkuesish në disa vende të zhvilluara.
“Unë e kam kaluar gjithë jetën time duke punuar për të sjellë ndryshime, në rast se kemi shpërthime virusesh”, është shprehur ajo për mediat.
Ekspertja e vaksinave u zhvendos nga Glasgow, në Shtetet e Bashkuara pasi mbaroi doktoraturën dhe fillimisht u punësua si pedagoge në Universitetin e Kalifornisë. Krahas ekipit të saj të studiuesve në kompaninë farmaceutike Invio, me qendër në San Diego, ekspertja po punon gjithë kohës për të krijuar një vakinë efikase për virusin që ka marrë 249 jetë njerëzish.
Virusi vazhdon të përhapet në të gjithë botën dhe ekspertja shprehet se është e vështirë të mos merresh me këtë situatë kur sheh se shumë njerëz po vuajnë.
Boderick është nënë e dy fëmijëve dhe ajo tregon se së bashku me familjen ishin me pushimet e vitit të ri, kur dëgjoi fillimisht për shpërthimin e virusit në Wuhan.