Flamuri serb vendoset mes flamujve të shqyer kuqezi në kullën e vrojtimit në Koshare

Një flamur serb, në mesin e shumë flamujve të shqyer kuqezi është vendosur në kullën e vrojtimit në Koshare.
Një foto e bërë disa ditë pas 22 vjetorit të përfundimit të njërës prej betejave më të lavdishme të UÇK-së në këtë vend, paraqet një gjendje të turpshme të kullës së vrojtimit, në ballë të së cilës është vendosur flamuri serb. Lajmin e ka publikuar edhe mediumi serb, Blic.

Fotoja, e cila u publikua në një faqe në Instagram nga serbët, shfaq flamurin serb që valëvitet në rrënojat e kullës së vrojtimit.
“Flamuri i vërtetë në kullën e vrojtimit”, shkruhet ndër tjerash në përshkrimin poshtë fotografisë.

Beteja e Koshares ishte njëra ndër betejat më të përgjakshme dhe më të suksesshme e luftës së Kosovës. U zhvillua në prill dhe qershor të vitit 1999 në kuadër të Operacionit Shigjeta, ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe ushtrisë serbe. Në këtë betejë ushtria serbe e kishte humbur kontrollin e kufirit Kosovë – Shqipëri, gjë që shënonte një nga fitoret më të mëdha për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke i detyruar ushtarët serbë të largoheshin nga kufiri dhe duke e mundësuar kalimin e sigurt të armëve dhe vullnetarëve nga Shqipëria për në Kosovë.

Beteja e Koshares zgjati nga 9 prilli deri më 10 qershor 1999, kur edhe u nënshkrua Marrëveshja e Kumanovës, e cila i dha fund luftës.

Në tetor të vitit të kaluar, një incident i ngjashëm kishte ndodhur te kulla e vrojtimit në Koshare. Një prift serb, e kishte hequr flamurin kuqezi nga kulla. Policia e Kosovës ishte marrë më pas me rastin, ndërsa për ngjarjen kishin reaguar edhe nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, duke kërkuar përgjegjësi nga institucionet e vendit.
Pas kësaj, një ish-pjesëtar i UÇK-së kishte shkuar dhe e kishte rivendosur flamurin kombëtar në majë të kullës.

https://www.instagram.com/karaula_kosare/?utm_source=ig_embed&ig_rid=96ff6ce6-67d9-4e8e-a939-368f73e0919e