Arabia Saudite habiti botën duke mposhtur Argjentinën, madje me përmbysje. Orët e fundit është bërë viral fjalimi i trajnerit të saj, Herve Renard, i cili në pushimin e ndeshjes motivoi futbollistët e tij.
“Çfarë jemi duke bërë? Ky është presioni jonë? Presion është të shkosh përpara. Messi merr topin në mesfushë dhe ju rrini e shikoni. Ka ngelur të nxirrni celularin dhe të bëni foto me të. Të gjithë duhet të bëjmë presion”, thotë trajneri francez me tone shumë të larta.
Më tej, Renard vijoi: “Nuk keni ndjenja? Nuk besoni se mund ta përmbysim këtë ndeshje? Nuk e ndjeni fare? Forca, ky është Botërori. Duhet të japim maksimumin”. Pasi u futën në fushë, arabët shënuan 2 gola brenda 8 minutash dhe fituan ndeshjen kundër Messit me shokë.