Më 30 dhjetor mbushen 15 vjet nga dita kur presidenti i Irakut, Sadam Huseini u ekzekutua me varje, tre vjet pas arrestimit të tij, kur u shpall fajtor nga një gjykatë irakiane për krime kundër njerëzimit.Pasi forcat aleate të udhëhequara nga ushtria amerikane filluan invazionin e Irakut në vitin 2003, në operacionin e quajtur ” Liria e Irakut”, nën pretekstin se se Sadam Huseini kishte grumbulluar armë për shkatërrim në masë, Sadamin nuk e gjetën.
Uashingtoni ofroi 25 milionë dollarë për kokën e tij, kurse rreth 600 ushtarë ishin të përfshirë në operacionin e kërkimit të quajtur “Agimi i zi”, sipas filmit antikomunist amerikan të xhiruar në vitin 1984. Mund të ketë qenë “gjuetia” më e madhe për një njeri në histori.Ata e gjetën më 13 dhjetor 2003, pas tetë muaj kërkimesh, në një hendek pranë vendlindjes së tij Tikrit….Me qetësi tha:” Unë jam Sadam Huseini, presidenti i Irakut dhe dua të negocioj”.Një vit më vonë, amerikanët e dorëzuan te autoritetet irakiane, të cilët me akuzën se ka kryer krime kundër njerëzimit duke vrarë 148 fshatarë shiitë në Duxhail në vitin 1982, e dënuan me vdekje dhe ekzekutimi u bë me varje më 5 nëntor 2006.
Kur gjyqtari lexoi verdiktin, Sadami brohoriti: “Allahu është më i madhi!” dhe ” Rroftë Iraku. Rroftë populli irakian!”.Gjykata u shpreh se ekzekutimi duhej të kryhej brenda 30 ditëve, kurse iarakianët kërkuan transferimin e Sadamit nga juridiksioni i ushtrisë amerikane për të kryer ekzekutimin brenda 48 orëve.Ekzekutimi i Sadam Husenit është kryer më 30 dhjetor, në ora 6:05 sipas kohës lokale, kurse i gjithë procesi është filmuar me kamerë, ndërsa në medie u debatua dhe polemizua gjerësisht se dënimi nuk ishte patjetër të jetë me varje dhe se e gjitha është montuar dhe filmuar për të trembur opinionin.Siç shihet nga pamjet, Sadami ishte krejtësisht i qetë gjatë ekzekutimit. Dëshmitarët okularë thonë se ai nuk shfaqi asnjë shenjë frike. Momentet e fundit të jetës së tij janë përshkruar nga ish-këshilltari i tij për siguri kombëtare, Muvafak el Rubai, i cili mbikëqyri ekzekutimin.
– Sadami erdhi tek unë në hapësirën e burgut ku u ekzekutua, kishte të veshur një xhaketë dhe një këmishë të bardhë, kishte sjellje normale dhe ishte i relaksuar, duke mos i bërë syri tërr. Sigurisht, disa njerëz kanë kërkuar nga unë që të them se si ra pa ndjenja dhe se ishte i droguar, por kjo nuk është e vërtetë, unë nga ai nuk kam dëgjuar asnjë fjalë pendese, nuk iu lut zotit për mëshirë, as nuk kërkoi falje, si do të vepronte dikush që e di se do vdes pas disa minutave – deklaroi ai.Rubai e mori pastaj Sadamin, i cili kishte pranga në duar ku mbante një Kuran dhe e çoi te gjyqtari që ia lexoi aktakuzën, kurse Sadami përsëriti: “Vdekje Amerikës! Vdekje Izraelit! Rroftë Palestina! Vdekje mullahëve persë!”.Pas kësaj, Rubai e shpuri Sadamin në ambientet e varjes. Ndaloi, shikoi drejt litarit, pastaj drejt Rubait, pastaj uli sytë dhe tha: “Doktor, kjo është për burrat”.Kur erdhi momenti për t`u ngjitur, këmbët e tij ishin ende të lidhura, kështu që Rubai dhe të tjerët duhej ta ndihmonin deri te shkallët. Pak para varjes, dëshmitarët e provokuan: “Rroftë Muhamed Bakr al-Sadr!” dhe “Moktada, Moktada!”, duke iu referuar kundërshtarit të Sadamit, i cili u vra gjatë kohës së regjimit të tij dhe kushëririt të tij, i cili erdhi në krye të një milicie të fortë pas vitit 2003.
Sadami u përgjigj: ” A thua vallë burra janë ata?” dhe, para se të tërhiqej leva, filloi të recitonte vargje nga Kurani, të cilat nuk arriti t`i thotë deri në fund: “Unë konfirmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut, kurse Muhamedi…”, dhe këto ishin fjalët e tij të fundit.Pamjet filmike që u vendosën që atë ditë në internet, tregojnë momentet e fundit të Sadam Huseinit në një kazermë të Bagdadit.Sadam Huseini, i cili sundoi Irakun gjatë dy dekadave të karakterizuara nga represioni, luftërat shkatërrimtare dhe sanksioneve të ashpra ndërkombëtare, ishte president nga korriku i vitit 1979 deri në mars 2003, kur u krye sulmi kundër Irakut nga SHBA-të.Disa irakianë, veçanërisht arabët suni, me nostalgji kujtojnë kohën e regjimit të Sadamit, sidomos periudhën e stabilitetit të brendshëm, që është i pakrahasueshëm me dhunën brutale që u zhyt vendi pas rënies së tij.Sadamin e përkujtojnë me respektin më të madh edhe disa arabë, të cilët e mbajnë mend për luftën që udhëhoqi kundër Iranit nga viti 1980 deri në vitin 1988, konfliktin me SHBA-të, sulmet ndaj Izraelit dhe për qetësinë me të cilën shkoi drejt vdekjes.Pesë vjet pas Sadamit, një tjetër udhëheqës botëror u ekzekutua publikisht dhe mizorisht, kurse fjala është për liderin libian Moamer el Gadafi. Momentet e tij të fundit ishin të përgjakshme dhe poshtëruese.