Rijaseti i Bashkësisë Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut njofton opinionin e gjerë se muaji i Ramazanit përfundon të mërkurën më 12 maj 2021, ndërsa, dita e parë e Fitër Bajramit është ditën e enjte, më 13 maj 2021.
Me vendim të Qeverisë së RMV, në natën e Fitër Bajramit nuk do të ketë orë policore me çka jepet mundësia që ta falim namazin e sabahut si dhe namazin e Fitër Bajramit.
Po ashtu, Bashkësia Fetare Islame e RMV, nën masat protokolare anti-Covid do të realizojë manifestimin tradicional, i cili do të mbahet në xhaminë Mustafa Pasha në Shkup.
Me këtë rast kërkojmë nga besimtarët që gjatë faljes së namazit të sabahut dhe Fitër Bajramit të ruajnë distancën fizike dhe të respektojnë masat anti-Covid.
Rijaseti i Bashkësisë Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut të gjithë besimtarëve në mbarë vendin ua uron festën e Fitër Bajramit duke lutur Allahun Fuqiplotë që t’i ketë pranuar agjërimet, lutjet dhe ibadetet tona.