Firma që aktivitet parësor e ka prodhimin e veshjeve të brendshme, do të mbikqyr punimet e ndërtimit me vlerë mbi 1.5 miliardë euro në “Korridorin 8”

Platforma e organizatave joqeveritare për luftën kundër korrupsionit i kërkon kryetarit të Kuvendit dhe deputetëve që të tërheqin ndryshimet e propozuara për 9 ligjet për ndërtimin e Korridoreve 8 dhe 10. Rikujtojnë se deputetët kanë për detyrë të mbrojnë rendin kushtetues dhe juridik, duke paralajmëruar edhe protesta të mundshme nëse nuk tërhiqen ndryshimet e propozuara.

Deputetët kanë obligim që të mundësojnë diskutimin e duhur dhe të ftojnë ekspertët dhe palët e interesuara në diskutim gjatë miratimit të ligjeve dhe ndryshimit të ligjeve.

“As deputetëve, as qytetarëve e as profesionistëve nuk i është dhënë kohë e mjaftueshme për të vlerësuar se sa shtohet rreziku i korrupsionit me ndryshimet e propozuara”thuhet në reagimin e platformës.

Platforma këmbëngul në tërheqjen e pikës nga rendi i ditës dhe bën thirrje për analizë gjithëpërfshirëse dhe debat publik, në mënyrë që të kufizohen mundësitë e korrupsionit.

Ndryshim i 9 ligjeve në favor të “Bektel&Enka”

Ndërkohë që një pjesë e madhe e ligjeve të rëndësishme për qytetarët dhe biznesin prej muajsh kanë ngecur në Kuvend dhe presin vullnetin e mirë të deputetëve dhe kryeparlamentarit që të futen në rend dite, të hënën në seancë plenare janë paralajmëruar 9 propozim-ligje, ndërsa të gjitha janë paraparë të miratohen me procedurë të shkurtuar. Bëhet fjalë për ndryshime vendimesh ligjore që do të zbatohen për punimet e paralajmëruara të ndërtimit të Korridoreve 8 dhe 10D. Ndryshimet janë propozuar nga deputetët e shumicës parlamentare, pjesa më e madhe të BDI-së. Deputetët e shumicës propozojnë ndryshimin e Ligjit për Tokë Bujqësore, ose më mirë thënë përshpejtimin e procedurës së kalimit nga tokë bujqësore në atë ndërtimore, eliminimin e procedurave burokratike dhe uljen e kohës së pritjes për dokumentacionin e nevojshëm.

Ndryshimet e dyta janë në fushën e shpronësimit. Edhe këtu bëhet fjalë për përshpejtimin e procedurave me arsyetimin se ndërtimi i autostradave është me interes strategjik për shtetin. Në vijim janë ndryshimet e ligjit për të cilat ka më shumë reagime në opinion dhe janë në fushën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore. Përkatësisht, nëse në një pjesë të trasesë së planifikuar gjatë ndërtimit konstatohet se ka parcela që janë lokacion arkeologjik, në atë rast kontraktori nuk do të duhet të njoftojë asnjë institucion kompetent shtetëror, por vetëm ta paraqesë te mbikëqyrësi i projektit. Procedurë më e shpejtë është paraparë në ndryshimet e propozuara në Ligjin për Urbanistikë me arsyetimin se në procedurë të rregullt mund të duhet më shumë se një vit për të realizuar aktivitetin e nevojshëm.

Propozohen edhe ndryshime në ligjin për lëndët e para minerale, të cilat do të thjeshtojnë procesin e marrjes me koncesion të ndonjë veprimtarie specifike që lidhet me ndërtimin e autostradave që do të ndërtojnë “Bechtel & Enka”.

Në ndryshimet e zgjidhjeve ligjore, për të cilat tashmë kanë reaguar sindikatat, propozohet rritja e orarit të punës së punëtorëve ndërtimorë që do të jenë në terren, me qëllim që të mundësohet ata të punojnë më shumë se tetë orë në ditë. Plani i shumicës në Kuvend është edhe ndryshimi i rregullave në Ligjin e pyjeve në pjesën e shfrytëzimit të një pjese të tokës që ndodhet në zonat pyjore pa zgjidhur të gjitha procedurat burokratike për tjetërsimin e tokës. Me procedurë të shpejtë, propozohet të merren të gjitha lejet dhe dokumentet e nevojshme ndërtimore dhe kjo të bëhet e mundur me ndryshimin e Ligjit për ndërtim. Me ndryshimet e fundit të zgjidhjeve ligjore, deputetët e shumicës do të kërkojnë që investitori strategjik në Maqedoni të lirohet nga pagesa e TVSH-së dhe akcizës për energjentët.

Disa skandale dhe dyshime për parregullsi e kanë tronditur projektin që nga fillimi i tij. Së pari, konsorciumi amerikano-turk u zgjodh nga Qeveria pa shpallje publike, që do të thotë se konkurrenca është eliminuar. Më pas ka dështuar tenderi i parë për përzgjedhjen e mbikëqyrjes së punimeve të ndërtimit. Tenderi i dytë, i cili ishte i suksesshëm, solli disa momente të diskutueshme, për shembull, pronari i njërës prej kompanive mbikëqyrëse kërkohet për vepër penale në Armeni, njëra prej kompanive merr licencë për mbikëqyrje për vetëm katër ditë në vendin tonë, ka numër të pamjaftueshëm të inxhinierëve të autorizuar si dhe ka kompani mbikëqyrëse që aktiviteti parësor i saj ka qenë prodhimi i veshjeve të brendshme dhe tani do të mbikëqyrë punimet e ndërtimit me vlerë mbi 1.5 miliardë euro./Alsat.mk