Financimi i mediave në RMV: Gazeta KOHA e para me 1.6 milionë euro nga shteti


Një raport i ri i Institutit për Politika Publike Arbën Xhaferi ka analizuar ndikimin e mundshëm të ndryshimit të Ligjit për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele (LShMAAV), sipas nismës së dorëzuar në parlament nga deputetët e koalicionit qeveritar SDSM-BDI. Projektligji i datës 2 nëntor 2022, parasheh rikthimin e fushatave të ashtuquajtuara me interes publik, të ideuara nga Gruevski për të blerë mediat dhe për të shuar zërin e tyre kritik.

Kjo nismë, e cila erdhi si pasojë e rënies së popullaritetit të qeverisë, u kundështua fuqishëm nga përfaqësitë diplomatike, organizatat ndërkombëtare dhe një pjesë e shoqërisë civile, duke u cilësuar si përpjekje për të ndikuar në pavarësinë e mediave dhe si rrezikim i së drejtës dhe lirisë së shprehjes. Kritikuesit theksojnë se rikthimi i fushatave qeveritare do të dëmtonte tregun mediatik por dhe interesin publik, duke promovuar interesat e partive politike.

Por si qëndron gjendja aktuale e financimit të mediave në Maqedoninë e Veriut ?

Mediat financohen zyrtarisht nga partitë politike dhe institucionet publike sipas tre mekanizmave kryesore: subvencionet për mediat e shtypura, shpalljet në mediat e shtypura dhe reklamimi politik me pagesë për fushata elektorale.

IPP Arbën Xhaferi ka bërë kërkesa për qasje në informata me karakter publik në Qeveri në lidhje me shumat e paguara në emër të subvencioneve për mediat e shtypura në periudhën 2018-2022, si dhe në Komisionin Shtetëror të Zgjedheve në lidhje me shpenzimet e paguara në emër të reklamimit politik me pagesë gjatë fushatave elektorale të vitit 2020 dhe 2021. IPP Arbën Xhaferi gjithashtu ka analizuar dhe përpunuar me mijëra tranzaksione buxhetore nga Open Finance, për të identifikuar të hyrat publike të 5 gazetave ditore në periudhën 2020-2022.

Subvencionet për mediat e shtypura: Qeveria ka paguar paguar 2.706.937 euro subvencione për 14 mediume në periudhën 2018-2022. Sloboden Peçat i prinë dukshëm listës, me 886.487 euro të realizuara nga subvencionet për mediat e shtypura gjatë viteve 2018-2022. Veçer radhitet e dyta me 507.763 euro, pasuar nga Repro Print (Nova Makedonija) me 434.519 euro, Koha me 319.561 euro, Fokus me 297.491 euro. Gazeta Lajm radhitet e gjashta në nivel të përgjithshëm, me 77.291 euro të realizuara nga subvencionet.

Zgjedhjet parlamentare 2020 : KSHZ ndau gjithsej mbi 2.7 milionë euro (pa TVSH) për reklamim politik me pagesë, prej të cilave 1.9 milion euro shkuan për televizionet, 667 mijë euro për portalet dhe mediat e shkruara, si dhe 155 mijë euro për radiot. Sa u përket të hyrave të realizuara nga televizionet nacionale, Sitel i prinë lisës me 232.221 euro, pasuar nga Alsat me 231.848, Kanal 5 me 230.916. Televizionet tjera shqiptare TV 21 dhe TV Klan radhiten respektivisht i katërti me 207.958 euro dhe i gjashti me 120.931 euro. Te portalet shqiptare, top pesëshja sipas të hyrave të realizuara kryesohet nga grupi Tetova Sot me 35.400 euro, pasuar nga koha.mk me 32.739 euro, aktuale.mk me 17.700 euro, tetova1.com me 16.421 euro dhe zhurnal.mk me 16.251 euro.

Zgjedhjet lokale 2021 : KSHZ ndau gjithsej mbi 5.2 milionë euro (pa TVSH) për reklamim politik me pagesë, ndër to 4.2 milionë euro për rrethin e parë, dhe 1 million euro për rrethin e dytë. Te televizionet nacionale, Kanal 5 i prinë listës me 493.680 euro të realizuara. Alsat është i dyti me 470.558 euro, pasuar nga Sitel me 444.484 euro. Televizionet shqiptare TV 21 dhe TV Klan radhiten respektivisht i katërti me 353.153 euro dhe i pesti me 244.307 euro të hyra nga reklamimi politik me pagesë. Top pesëshja e portaleve shqipe kryesohet përsëri nga grupi Tetova Sot me 60.000 euro të realizuara, pasuar nga Bulevard (in7.tv) me 41.399 euro, Koha me 35.354 euro, Lajm me 26.274 euro dhe grupi Zoom In (almakos.com dhe zoom.mk) me 22.989 euro.

Pesë gazetat që shtypën në baza ditore në vend janë rast specifik meqë ato janë të vetmet që përfitojnë nga tre burimet e financimit publik: subvencionet, shpalljet dhe reklamimi politik me pagesë. Sipas të dhënave nga Open Finance të përpunuara nga IPP Arbën Xhaferi, pesë gazetat ditore kanë realizuar të hyra totale publike prej 4.508.227 euro në periudhën 2020-2022. Gazeta Koha i prinë dukshëm listës së të hyrave totale nga institucionet publike me 1.653.300 euro të realizuara në periudhën 2020-2022. Ditoret maqedonase Sloboden Peçat (867.944 euro), Veçer (808.824 euro) dhe Nova Makedonija (730.021 euro) realizojnë përafërsisht gjysmën e të hyrave të Gazetës Koha. E fundit radhitet Gazeta Lajm, me 448.138 euro të realizuara nga institucionet publike në tre vitet e fundit.

Drejt një kapje të re të mediave?

Nisma e SDSM-BDI për ndryshimin e LShMAAV propozon që Qeveria të obligohet të realizojë nga një deri në katër fushata televizive dhe radiodifuzive me interes publik në nivel qendror gjatë një viti kalendarik. Parashihen edhe fushata fakultative në nivelin lokal.

0,1% e të hyrave të përgjithshme buxhetore të realizuara në vitin paraprak fiskal do të ndaheshin për financim të fushatave me interes publik në nivelin qendror. Përkthyer në euro, 4 milion euro do të ishin në dispozicion për fushata vetëm në nivelin qendror. Kjo është një shumë e konsiderueshme, me potencial të lartë për shtrembërim të tregut mediatik, korrupsion mediatik dhe promovim të propagandës qeveritare të paguar me paratë e tatimpaguesit.

Shkurt, ky projektligj është ritkhim në gruevizëm që nuk guxon të kalojë.

Rekomandimet e IPP Arbën Xhaferi

🔸 Ndalesa e fushatave me interes publik duhet të ruhet në LShMAAV, si garancë e mbrojtjes së interesit publik dhe lirisë së mediave.

🔸 Procesi i përafrimit të LShMAAV me të drejtën evropiane duhet të vazhdojë, me fokus të veçantë në reformën gjithëpërfshirëse të transmetuesit publik, për të siguruar pavarësinë e tij, standardet profesionale dhe qëndrueshmërinë financiare, në përputhje me rekomandimet e Komisionit Evropian dhe të Këshillit të Evropës.

🔸 LShMAAV dhe ligjet tjera përkatëse duhet të rishikohen me synim të përmirësimit të gjendjes financiare të mediave private dhe krijimit të mekanizmave për lehtësime tatimore dhe përfitime tjera për mediat, në përputhje me përvojat evropiane.

🔸 Duhet të hapet debat për krijimin e një fondi për mediat, përfshirë qëllimet dhe kriteret e mbështetjes financiare, mënyrën e shpërndarjes së fondeve, pavarësinë dhe objektivitetin në vendimmarrje. Parimet thelbësore të një fondi të tillë duhet të jenë jo selektiviteti, transparenca dhe pavarësia e organeve dhe e procedurave përmes së cilave bëhet subvencionimi i mediave. Një nga misionet e mundshme të një fondi të tillë do duhej të ishte financimi i mediave dhe i përmbajtjeve mediatike që janë në interes të publikut, siç janë programet për edukim politik dhe ato për zhvillim të mendimit kritik, apo inovacioni në media elektronike.

🔸 Qeveria duhet të miratojë një strategji për reformë të mëtejshme të mediave, me synimin për të mbrojtur pavarësinë e mediave nga ndërhyrjet politike dhe për të siguruar transparencë më të madhe në lidhje me reklamimin nga institucionet shtetërore dhe partitë politike.

🔸 Kodi zgjedhor duhet të modifikohet për të thjeshtuar dhe objektivizuar rregullat për reklamim politik me pagesë dhe reduktuar mundësitë e abuzimeve, në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it.