Finalizohet manuali, kaq persona do të lejohen në dasmat kosovare

Manuali parashikon që brenda sallave të dasmave nuk mund të qëndrojnë më shumë se 200 dasmorë.
Kryetari i Odës së Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës, Hysen Sogojeva ka dhënë disa detaje të reja në lidhje me manualin e organizimit të dasmave.
Sogojeva ka thënë se kanë pasur takime të vazhdueshme me qeverinë, me ç’rast grupet punuese kanë bërë përafrimin e manualeve të propozuara nga Qeveria dhe ODA e Hotelierisë dhe Turizmit.

“Rreth 95% e kërkesave tona janë përfshirë në manualin e qeverisë”, tha ai.
Sogojeva thotë se rreth 30% e kapaciteteve të brendshme hoteliere do të mund të shfrytëzohen për organizimin e dasmave.
“Mesatarisht rreth 200 dasmorë do të mund të futen në ambientet e brendshme të hotelit”.
I pari i OHT thotë se orari I mbajtjes së dasmave nuk do të ndryshojë nga ai që është tani.

“Orari nuk do të ndryshojë. Dasmat do të mund të mbahen deri në ora 23:00, mirëpo me kalimin e kohës, besojmë në fillim të korrikut orari mund të shtyhet deri nga ora 1:00”, deklaroi Sogojeva.
Ai thotë se tashmë gjithçka është finalizuar, dhe vetëm pritet nënshkrimi i manualit.
“Në bazë të informatave që kam, nesër do të mblidhet qeveria dhe do të votohet ky manual”, tha ndër të tjera Hysen Sogojeva.