Fillon seanca për zgjedhjen e qeverisë teknike, Talat Xhaferi prezanton programin e qeverisë së re

Kuvendi sot filloi seancën e 141-të me të vetmen pikë të rendit të ditës zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Rendi i ditës kaloi me 67 vota “pro”, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Në sallë ishin të regjistruar 108 deputetë.

Talat Xhaferi, mandatar i kësaj qeverie kalimtare, e cila u formua njëqind ditë para zgjedhjeve për deputetë të 8 majit, ka dorëzuar dje programin dhe përbërjen e propozuar të qeverisë së re. Detyra kryesore e qeverisë kalimtare është organizimi i zgjedhjeve parlamentare të ndershme dhe demokratike.

Kuvendi e zgjedh Qeverinë me shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve.

Qeveria kalimtare zgjidhet 100 ditë para zgjedhjeve të planifikuara për 8 maj.

Zgjedhjet presidenciale do të mbahen dy javë më parë.

Mandati i qeverisë kalimtare zgjat nga zgjedhjet deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve për zgjedhjet për deputetë dhe zgjedhjen e qeverisë së re politike.