Sonte, pas mesnatës do të ndryshoj ora. Akrepat do të zhvendosen një orë mbrapa, respektivisht, nga ora tre do të kalojnë në orën dy. Kalimi nga koha verore në atë dimërore shënon edhe ardhjen e periudhës së dimrit, Llogaritjen e kohës do ta ndryshojnë edhe pjesa më e madhe e kontinentit evropian, përveç në Islandë, Rusi dhe Bjellorusi. Parlamenti Evropian me 4 mars 2019 votoi për heqjen e ndryshimit sezonal të kohës që nga viti 2021. Por, Këshilli i BE-së ende nuk ka dhënë vendim. Ndërkohë, qytetarët e anketuar janë të mendimit që ora mos të ndryshohet, të mbetet me llogaritjen verore.
“Të mos ndryshohet, përfundimisht. Mua, personalisht më pengon ndryshimi i orës dhe do të doja të mos ndryshojë. Jo vetëm mua por edhe fëmijëve të mi, janë të revoltuar”.
“Të mbetet llogaritja verore, nuk duhet ndryshohet. Nuk ndryshon asgjë, nuk e di pse e kthejnë. Nuk më pengon asgjë nëse do të fle një orë më shumë ose më pak, ose do të kryej ndonjë punë, nuk më ndryshon asgjë”.
“Unë vlerësoj të mbetet sipas llogaritjes verore, ashtu siç ishte. Ndryshon gjithçka, jo vetëm mua konkretisht, por shumë gjëra ndryshojnë”.
Një pjesë e qytetarëve madje vlerësojnë se ndryshimi i orës tashmë nuk është i leverdishëm sepse shumë orare të punës kanë pësuar ndryshime, ndërsa pjesa më e madhe e tyre fillojnë pas orës 7 të mëngjesit.
“Sikurse edhe të tjerëve edhe mua në fillim më pengonte por gjërat shumë kanë ndryshuar. Orari I punës nuk është prej në ora 6 siç ishte dikur dhe që paraqitej nevoja për ditë të hershme. Tani, mund të them se nuk kemi leverdi sepse orari I punës fillon prej ora 8 ose 9 dhe nuk shfrytëzojmë shumë dritë ditore”.
“Që të dyja janë të mira por më mirë dimërore për shkak që mos të ndërrohet, të mbetet e njëjtë. Kjo ma shumë po ndikon për shkak të punës, deri tash jemi zgjuar prej orës 7, pastaj verës sërish duhet të ndërrohet”.
“Me mbet me të verës vitin tjetër, në pranverë me lënë ashtu, me orën e verës”.
Me fillimin e llogaritjes së kohës dimërore, do të kemi më pak ditë dhe më shumë natë, gjegjësisht do të humbasim një orë dritë pasdite, të cilën do ta kompensojmë në mëngjes, posaçërisht ata që zgjohen ose fillojnë orarin e punës më herët. Ora dimërore do na shoqërojë deri në fundjavën e fundit të muajit mars të vitit 2022 kur akrepat do të kthehen në orën verore. Ndryshimi sezonal i kohës, përveç në Evropë, zbatohet edhe në shumë vende të Amerikës Veriore dhe Qendrore, si dhe në shumë vende të tjera të botës.
Koha nuk ndryshon në Japoni, Kinë, Korenë e Jugut e as në vendet e kontinentit afrikan.