Procesi për pjesëmarrje në llotarinë për Green Card për vitin 2026 filloi më 2 tetor në orën 18:00 dhe do të zgjasë deri më 5 nëntor 2024, deri në orën 18:00 me kohën lokale. Kjo është një mundësi e madhe për të gjithë ata që i plotësojnë kriteret për të aplikuar për vizë emigrimi në SHBA dhe për të fituar një shans për të vazhduar jetën e tyre në Amerikë. Aplikimi është falas dhe bëhet elektronikisht përmes faqes zyrtare të Departamentit të Shtetit të SHBA-së.
Llotaria për Green Card është plotësisht falas dhe nuk ka kosto të fshehura për aplikim. Ambasada e SHBA-ve paralajmëron qytetarët të jenë të kujdesshëm ndaj ndërmjetësve dhe agjencive që premtojnë rritje të shanseve për fitore në këmbim të një pagese. Çdo person duhet të plotësojë personalisht aplikacionin e tij dhe ta ruajë numrin e tij unik. Ky numër është shumë i rëndësishëm, sepse përmes tij, kandidatët mund të kontrollojnë nëse janë përzgjedhur në program në maj të vitit 2025.
Rekomandime për një aplikim të suksesshëm
Kandidatët inkurajohen që ta dorëzojnë aplikacionin sa më herët dhe të shmangin dorëzimin e më shumë se një aplikimi personal, pasi kjo mund të çojë në diskualifikim. Është e rëndësishme që të përfshihen të gjithë anëtarët e familjes, përfshirë bashkëshortin/en dhe të gjithë fëmijët e pamartuar nën 21 vjeç, edhe nëse ata nuk planifikojnë të udhëtojnë apo të imigrojnë.
Më e rëndësishmja është që kandidatët të plotësojnë vetë aplikacionin në faqen zyrtare **https://dvprogram.state.gov**, pasi ky është mënyra e vetme për të marrë pjesë. Gjithashtu, është e rëndësishme që secili kandidat ta printojë dhe ta ruajë faqen e konfirmimit të aplikimit, së bashku me numrin unik, të cilin duhet ta ruajë deri më 30 shtator 2026.
Shmangia e mashtrimeve
SHBA prej kohësh paralajmëron për shfaqjen e ndërmjetësve të rremë që kërkojnë pagesë shtesë për të kthyer numrin unik të kandidatëve. Prandaj, kandidatët duhet të jenë të kujdesshëm dhe të mos i besojnë atyre që premtojnë fitore të sigurta në këmbim të parave. Mënyra e vetme për të marrë pjesë në llotari është përmes faqes zyrtare të programit, ku aplikimi duhet të plotësohet saktë dhe në kohë.
Për më shumë informacion, kandidatët mund të lexojnë udhëzimet e plota në **travel.state.gov/dv** dhe të informohen për të gjithë hapat e procesit të aplikimit.