Fillojnë talljet në Izrael, emri “Meta” ka një kuptim tjetër në gjuhën hebreje

Njoftimi i kompanisë “Facebook” se do ta ndërrojë emrin për ta bërë “Meta” ka shkaktuar reagime të ndryshme në mbarë botën, por izraelitët kanë një arsye tjetër për t’u talluar me të.

Në gjuhën hebreje, fjala “Meta” e ka kuptimin e të vdekurit, më saktësisht përdoret për gjininë femërore.
Disa njerëz kanë shkruar në Twitter për këtë krahasim duke e përdorur hashtag-un “#FacebookDead” (nga anglishtja: Facebook-u i vdekur).

Në këto tallje madje u përfshi edhe grupi i vullnetarëve për shpëtim urgjent, “Zaka”, duke u thënë ndjekësve të tyre: “Mos u brengosni, ne jemi në të.”
Një përdorues tjetër shkroi: “Faleminderit që u ofruat folësve të hebraishtes një arsye të mirë për të qeshur.”

Gjiganti amerikan nuk është i vetmi që është përqeshur për emra. Prodhuesi i veturave luksoze, “Rolls-Royce” ia kishte ndryshuar emrin modelit “Silver Mist”, sepse në gjuhën gjermane njëra fjalë e ka kuptimin “jashtëqitje”.

Prodhuesi i telefonave, “Nokia”, në vitin 2011 e kishte hedhur në treg modelin “Lumia”. Në disa dialekte të spanjishtes, kjo fjalë është sinonim i emrit “pr*ositutë”.