Në të gjitha vendvotimet në komunën e Tetovës ka filluar votimi në orën 7 dhe zhvillohet pa probleme gjatë orës së parë, informojnë nga Komisioni Komunal Zgjedhor (KKZ) Tetovë.
“Këshillat zgjedhor informojnë se në të gjitha vendvotimet, votimi ka filluar dhe zhvillohet në rendin më të mirë. Nuk ka probleme më të mëdha me aparatet fingerprint, përveç në disa vende ku kanë pasur disa vështirësi teknike, të cilat janë tejkaluar shpejt, ndërsa të cilat kanë të bëjnë me ndërlidhjen me printer dhe ngjashëm”, informoi Nazmi Dauti, sekrtar i KKZ Tetovë.
Të drejtë vote në Komunën e Tetovës kanë 85.484 qytetarë. Një pjesë e tyre të drejtën e tyre të votës e kanë realizuar dje, nga të cilët 36 si të sëmurë dhe shtatë në izolim për shkak të Kovid-19.