Filipçe: Vjeshta sjell shumë rreziqe, duhet akoma më të disiplinuar t’i respektojmë masat kundër koronavirusit

Duhet të jemi të vetëdijshëm se na paraprin edhe një periudhë në të cilën duhet të mbrohemi akoma më shumë dhe në mënyrë më të disiplinuar t’i respektojmë masat për Kovid-19, theksoi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe në video fjalim, duke potencuar se kriza shëndetësore botërore e shkaktuar nga kovid-19 është më e madhja në 100 vitet e fundit. Kjo krizë, theksoi, solli pikëllim për ata të cilët i humbën të afërmit e vet, pasiguri ekonomike për të gjithë ne dhe ndryshim drastik në jetët tona.

Gjashtë muaj prej se u regjistrua rasti i parë në vendin tonë, ai u falënderua për fuqinë dhe mbështetjen që e japin qytetarët në luftën me virusin.

“Me respektim të masave për mbrojtje të shëndetit personal, përveç që mbroni veten dhe të afërmit tuaj, ju jepni kontribut personal në përpjekjet e punonjësve shëndetësorë të cilët çdo ditë luftojnë për një jetë njerëzore. E di se jeta me virusin është e lodhshme dhe e kuptoj sa e vështirë është që ndoshta gjërat nuk janë ashtu siç do të donit të jenë. Por, kjo nuk do të zgjatë përjetësisht. Nga dita në ditë, jemi gjithnjë e më afër tejkalimit të krizës”, potencoi Filipçe.

Ai tha se vjeshta sjellë shumë rreziqe, ndërsa virusi dëshmoi se është jashtëzakonisht i paparashikueshëm. Prandaj u bëri thirrje të gjithëve të jemi maksimalisht të kujdesshëm.

“Masat për mbrojtje personale janë të qarta dhe tashmë shumë të njohura. Dhe nuk janë të vështira për t’u respektuar, jam i sigurt. Nevojitet vetëm pranim i realitetit dhe besim se, nëse u përmbahemi në mënyrë rigoroze, kjo do të kalojë. Se do të kemi sukses , ndërsa suksesi do të jetë i yni, i përbashkët. Dëshiroj t’ju bindë se si ministër bëj gjithçka nevojitet për t’u përgatitur për periudhën e vjeshtës. I përforcojmë kapacitetet spitalore dhe kuadrin. Qeveria e re maksimalisht do t’i kahëzojë resurset drejt shëndetësisë me qëllim të mbështetjes ndaj punonjësve shëndetësorë dhe sigurimit të shërbimeve të mira shëndetësore për të gjithë qytetarët. Dëshiroj edhe njëherë t’i falënderoj kolegët e mi – punonjësit shëndetësor dhe të gjithë të cilët në mënyrë të palodhshme punojnë në tejkalimin e krizës. Mundi dhe përkushtimi juaj nuk do të harrohen”, theksoi Filipçe.