Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe njoftoi sot për rrjedhën e procesit të vaksinimit, sipas tij deri tani janë vaksinuar afro 230 mijë qytetarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
“Gjendja në spitale është e mirë, nuk ka presione, punojnë vetëm repartet infektive. Ndërkohë që procesi i imunizimit të qytetarëve po rrjedh mirë. Deri tani janë vaksinuar afro 230 mijë qytetarë. Në muajin qershor pritet të arrijnë edhe vaksinat e tjera shtesë. Revaksinimi po rrjedh gjithashtu mirë, ne sot do të aktivizojmë edhe një ueb faqe shtesë që ka të bëj vetëm me revaksinimin”, tha Filipçe.
Ministri Filipçe gjithashtu përmendi edhe propozimin e Komisionit për Sëmundje Infektive, për lehtësimin e masave restriktive. Me këtë rast Filipçe mes tjerash theksoi se maska në ambient të hapur nuk do të jetë obligative dhe se do të lejohet organizimi i dasmave me maksimum 100 mysafirë.