Filipçe tregon nëse do të ketë masa të reja


Shënon rritje numri i rasteve të reja me variantin e ri të virusit Covid-19. Brenda dy ditëve është regjistruar një rritje prej 30% e të infektuarve me virusin britanik. Megjithatë ministri i Shëndetësisë deklaroi se, nuk ka nevojë për masa të reja restriktive, duke qetësuar opinionin se për momentin shteti disponon kapacitete të mjaftueshme për pacientët e prekur.

Kemi evidentuar rritje të numrit të pacientëve me variantin e ri të virusit, gjatë periudhës së kaluar. Nga 20% sa ishin evidentuar periudhën para dy ditësh, rezultatet treguan se ky numër është rritur deri në 50% nga numri total i të diagnostikuarve. Po analizojmë gjendjen në gjithë territorin e vendit dhe shohim se ka një rritje të lehtë të numrit të të hospitalizuarve në krahasim me muajin e kaluar – tha Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.
Vaksinimi i punonjësve shëndetësor ka vazhduar dhe sot. Numri i mantelbardhëve që janë vaksinuar ka kaluar numrin 700, ndërsa procesi po rrjedh deri në orën 20.00 në mbrëmje, për të vazhduar të hënën.

Deri më tani janë vaksinuar rreth 760 punonjës shëndetësor. Vendimi është që me sasitë e para që kanë ardhur, vaksinimi të zbatohet vetëm në punktet e Spitalit modular në Shkup. Tanimë kanë filluar edhe institucionet tjera. Dje ishin për vaksinim punonjës shëndetësorë nga Kavadari dhe Prilepi. Vetëm të dielën nuk punon punkti. Tani po bëhen dhe listat e mjekëve amë dhe për momentin procesi mirë po rrjedhë, ka radhë dhe menaxhim të mirë të vaksinimit – u shpreh Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.
Për momentin numri i pacientëve pozitiv të cilët shërohen nëpër repartet infektive të vendit është 622, ndërsa rreth 420 krevate janë të lira nëpër Qendrat Kovid.