Filipçe: Rreth 7% e të sëmurëve me Covid-19 janë nën 18 vjeç

Nënat e fëmijëve deri në moshën 6 vjeçare dhe ato që kanë shfrytëzuar pushimin e zgjatur të lindjes sot pasdite do të protestojnë para Qeverisë për të shprehur revoltë e tyre ndaj vendimit të ekzekutivit që më 23 shtator të gjithë të punësuarit të kthehen në punë. Mirëpo protestës së sotme i ka paraprirë një reagim i Qeverisë, ku thuhet se çerdhet kanë siguruar kapacitet për përkujdesje për të gjithë fëmijët. Ky reagim vjen pas deklaratave të ditëve të fundit ku nënat thonë ndër të tjerat se nëse kthehen të gjithë fëmijët në çerdhe, këto të fundit nuk kanë kapacitete të mjaftueshme për të gjithë fëmijët në mënyrë që njëkohësisht gjatë përkujdesjes të respektojnë protokollet.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut:
“Në koordinim me Komisionin për Sëmundje Ngjitëse është sjellë vendim për zgjerim të kapaciteteve në grupet në çerdhe për moshat nga 0 në 2 vjeç, respektivisht deri 12 fëmijë në grup, me qëllim që institucionet publike për përkujdesje të kenë kapacitet të kujdesen plotësisht për fëmijët, nënat e të cilëve deri tani kanë shfrytëzuar pushim të vazhduar të lindjes. Sipas protokolleve, prioritet do të kenë fëmijët me prindër të vetëm dhe fëmijët me të dy prindërit e punësuar.”

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe rritjen e numrit të fëmijëve në grupe e arsyeton me analiza paraprake, siç thotë ai në bazë të të cilave kanë arritur në përfundim se shtimi i numrit të fëmijëve në grupet në çerdhe nuk përbën rrezik. Është vlerësuar rreziku. Është analizuar numri i fëmijëve të sëmurë pasqyrën e tyre klinike. Kemi analizuar fëmijët deri në moshën 18 vjeçare. Në atë grup, përqindja e fëmijëve të infektuar deri në moshën 9 vjeçare është 3.5%. Nga 10 deri në 18 është 4%. Pra rreth 7% e të sëmurëve janë nën 18 vjeç.

Në përqindje të lartë kanë formë shumë të lehtë të sëmundjes. Është vlerësuar se rreziku në çerdhe është shumë i vogël”-tha Venko Filipçe ministër i Shëndetësisë. Në një nga pikat e Protokollit të Komisionit për Sëmundje Ngjitëse i miratuar më 30 maj parashikohej se për shkak të pandemisë në grupet e fëmijëve nga 0 në 2 vjeç të mos ketë më shumë se 6 fëmijë ndërsa në ato deri në moshën 6 vjeçare jo më shumë se 15. Qeveria ka angazhuar komunat nën kompetencat e të cilave janë çerdhet që në raste se do të lind nevoja për hapësira dhe kuadër shtesë të gjejnë zgjidhje./Evi Shkopi