Filipçe: Punojmë që familjarët e pacientëve të informohen më tepër

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe sërish ka dënuar rastin në spitalin “8 Shtatori” ku një mjek është sulmuar nga familjarët e një të sëmure e cila pas disa ditësh shtrimi në spital ka vdekur nga koronavirusi. Sipas tij deri tek mosmarrëveshja ka ardhur pasi familjarët nuk kanë respektuar protokollin për dorëzimin e personave të vdekur.

Lexo:Pacientja vdes nga koronavirusi, sulmohet mjekja te “8 Shtatori”, disa të shoqëruar në polici

“Rreth rastit të djeshëm, informacionet e mija janë se mosmarrëveshja ka qenë në lidhje me respektimin e protokolleve për veprim ndaj personit të ndjerë. Familja ka dashur ta merr nga spitali pacientin që kishte ndërruar jetë, por që ka protokoll për veprim. Shumë shpesh flasim për dhënie të informatave për pacientët, spitali “8 shtatori” është një prej institucioneve shëndetësore më të ngarkuara në vendin tonë, aty mjekët dhe infermieret tashmë për 4 muaj punojnë intensivisht”, pohoi Filipçe.

I pyetur për ankesat e vazhdueshme prej qytetarëve se nuk kanë informacione për familjarët që janë shtrirë nëpër spitale, ministri Filipçe theksoi se do të angazhohet që të krijohet një sistem më efikas për dhënie të informacioneve.

“Ka edhe administratorë të cilët janë në shërbim të dhënies së informacioneve. Mjekët jo gjithmonë munden të japin informacione, për shkak se ata janë në vend të izoluar ku nuk kanë qasje as me telefonat e tyre. Familjet duhet të kuptojnë që ndonjëherë duhet të presin për informacione. Do të bisedoj sërish për përfshirje të njerëzve që kanë kontakte me mjekët përmes lokaleve dhe telefonave që të sigurohen informacionet e duhura”, tha Filipçe.