Filipçe prezantoi protokollin për punë në Çerdhe


Ministria e Shëndetësisë dhe ajo për Punë dhe Politikë Sociale, Venko Filipçe dhe Jagoda Shahpaska në një konferencë të përbashkët prezantuan protokollet për punë në Çerdhe, të cilat siç është paralajmëruar do të fillojnë me punë nga 9 shtatori.

Siç është njoftuar edhe më herët, hapësirat dhe oborret e çerdheve do të dezinfektohen rregullisht, çdo i punësuar do të ketë pajisje mbrojtëse personale dhe termometër me të cilin çdo fëmije gjatë hyrjes në objekt do t’i matet temperatura.

“Nuk lejohet grumbullimi dhe kontaktet e të punësuarve në hapësira të përbashkëta. Të punësuarit e kanë për obligim ta përcjellin shëndetin e tyre dhe shëndetin e fëmijëve gjatë pranimit dhe gjatë kohës që qëndrojnë në çerdhe”, tha Venko Filipçe, ministër i shëndetësisë.

Grupet e fëmijëve do të organizohen në atë mënyrë që tek fëmijët deri në 2 vjeç do të ketë më së shumti 6 fëmijë, derisa tek më të rriturit deri 15 fëmijë. Pranimi i fëmijëve në çerdhe do të kryhet në çdo 10 minuta me praninë e njërit prind i cili është i detyruar që të mbaj maskë mbrojtëse.