Filipçe: Ora policore pas orës 21 nuk do të ndryshojë asgjë

Ora policore pas orës 21 nuk do të ndryshojë asgjë, sepse atëherë është përafërsisht zbrazët. Objektet hotelerike nuk punojnë dhe është i ndaluar grupimi në hapësira publike, tha sot ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Grupimi në kushte shtëpiake, siç tha ai, mbetet një rrezik i caktuar, megjithëse ekziston rekomandim që tubimet në shtëpi të mos bëhen.
“Prandaj, një pjesë e madhe e efektivitetit të masave është vetëdija e qytetarëve se masat duhet të respektohen”, tha Filipçe në konferencën për shtyp në Qeveri.

Ai përsëriti se masat po japin rezultate dhe se asnjë masë shtesë nuk po mendohet për momentin.
“Në pothuajse dy të tretat e qyteteve ka një rënie serioze të incidencës në javët e fundit. Mbeten kritike Kumanova, Shtipi, Prilepi, Manastiri dhe Shkupi”, tha tutje Filipçe.
Lidhur me kërkesën e kryetarit të Prilepit për futjen e masave më kufizuese në qytet, Filipçe për nesër paralajmëroi takim me udhëheqësinë e Prilepit. Sipas situatës aktuale epidemiologjike atje, epidemiologët besojnë se tani për tani nuk ka nevojë për një gjë të tillë.